January 23, 2024

Mikpritje e mrekulleshme dhe masive nga qytetarët e Delvinës

Image BD

Etleva Merko:
‘Përshëndes ata që sot nuk janë në këtë sallë, por kishin dëshirën e madhe për të na dëgjuar. Ne e dimë që presioni i administratës është i madh në këtë qytet të vogël. Një prej tyre jam dhe unë që e kam provuar para disa vitesh. Qyteti i Delvinës po braktiset dita ditës, më dhemb që dhe unë kam ikur nga ky qytet, nuk kam dashur, por më duhej të largohesha. Unë nuk dua që të rinj të tjerë ta braktisin këtë qytet, këtë qytet të kulturës, të traditës, të të madhit Sulejman Delvina. Nuk duhet braktisur vendi, por duhet investuar në këtë vend.’

Vasil Dajko:
‘Është i trishte fakti që të gjithë kemi shkuar jashtë, por shumë pak kthehen. Dhe ata që kthehen, vazhdojnë e ikin, është shumë e trishtë. Në këtë vend mungon shpresa, mungon konkurenca e ndershme, mungojnë vendet e punës. Nuk është normale që punëdhënësi më i madh i këtij vendi të jetë bashkia, që secili çdo katër vite të shkojë të japë votën vetëm për një vend pune.’

Edlira Çepani:
‘Shumë kënaqësi të jemi këtu për të bashkëbiseduar me ju dhe për të dëgjuar cilat janë ato gjëra që mund të bëjmë së bashku.Ne e kemi marrë përsipër, që si grup të bëjmë disa hapa, që duken të vështira, por nuk janë të pamundura për Shqipërinë, në mënyrë që të jetojmë të gjithë bashkë më mirë nesër. Nuk do ta lëmë në mes këtë rrugëtim, sepse nuk po e bëjmë për vete. Thuajse të gjithë prej nesh kemi fëmijë të vegjël, dhe ne po e bëjmë këtë rrugëtim për fëmijët tanë. Ne besojmë fort se Shqipëria Bëhet dhe Shqipëria do behet.
Nuk i mungon absolutisht asgjë, as Delvinës, as delviniotëve për ta bërë qytetin siç ka qënë një herë e një kohe e për ta zhvilluar më tej. Nëse për Delvinën ka vetëm pak vëmendje kaq mjafton, vetëm pak investime në mënyrën e duhur, kaq mjafton.
Dëgjojmë gjatë gjithë kohës që fëmijët i kemi prioritet në Shqipëri. Çfarë po bëjmë për fëmijët? Kur ne nuk rregullojmë të paktën të ketë ngrohje nëpër shkolla, apo stola ku të ulen?  Nga ana tjetër, prapë themi që i duam shumë fëmijët, i duam të moshuarit, i duam qytetarët. Si i duam? Duke i lënë pa ilaçe? Duke i lënë që të vuajnë për një gjilpërë, apo të luten për një kemp?’

Florjan Binaj:
‘Do doja shumë të kisha ardhur në këtë sallë dhe të ju bëja për të qeshur, se 20 vite këtë kam bërë, por ka ardhur koha të themi ca të vërteta. A do e prisnit ju një pemë 33 vite që të nxirrte kokrrën e parë? A do prisni një grua apo një burrë 33 vite që të thonte po ose jo? A do prisnit ju 33 vite në semafor që të ndizej jeshilja? Po ne i kemi pritur këta. Edhe ça na thonë ne? Nuk bëhet Shqipëria, nuk bëhemi ne si popull. Çdo gjë ka kohën e vet, dhe ka ardhur koha që të gjithë të mblidhemi, të gjithë të veprojmë, jo me fjalë por me vepra.
(shembull për referendumet)
Nëse kjo qeveri apo secila qeveri, vendos që Delvina mos të quhet më Delvina, por të quhet Edvina, çfarë keni ju në dorë për ta ndalur? Pas katër vitesh ju nuk e votoni dhe kaq, por ndërkohe Delvina është berë Edvina. Ndërsa me ligjin e referendumeve pyeteni ju të gjithë banorët, nëse doni të bëhet kështu apo jo, nëse jo ju e vendosni..’


Adriatik Lapaj:
‘Kjo është një rrugë e vështirë, por që duhet bërë. Përse duhet të ketë frikë një delviniot që i kanë hequr gjithçka, i kanë hequr shpresën, i kanë hequr fëmijën nga shtëpia, i kanë vrarë ëndrrën që jeta këtu nuk vazhdon, për çfarë duhet të ketë frikë një i ri në këtë vend që ëndrra më e madhe e tij, është të iki nga Shqipëria. Popujt dhe shqiptarët nuk kanë ikur nga lufta, por po detyrohen të ikin nga kjo makutëri e madhe. Unë nuk jam këtu të mallkoj njeri, nuk jam këtu të shaj njeri, nuk e kam bërë kurrë e as kam për ta bërë, sepse unë besoj fort që njerëzit duhet të ndërgjegjësohen, duhet të bashkohen e  vendin duhet ta ndryshojnë së bashku, jo nepërmjet të keqes por nëpërmjet të mirës.  Ne nuk kemi dal të kërkojmë poste, asnjë prej  tyre nuk kërkoi mbështetje për ta bërë deputet a ministër. Ne kemi  dalë më një platforme të qartë idesh për të kërkuar ndryshimin e Shqipërisë. Kjo që po bëjmë është e vështira, por është e drejta, sepse ketyre u ka ikur koha dhe ne nuk do të lodhemi.
Nëse ne duam të zgjidhim hallin e këtij vendi, duhet të zgjidhim ekonominë e këtij vendi. E që të zgjidhim ekonominë, duhet të shembim sistemin  që  e ka marrë peng. Sepse ky vend, është peng i 10 njerëzve, 5 nga politika, 5 nga biznesi.

QYTETARËT:
‘Ne duhet të  bashkohemi për më të mirën. Në shoqëri problemi më  madh nuk janë bëmat e njerëzve të këqij, por është heshtja e njerëzve të mirë. Dhe pikërisht heshtja e njerëzve të mirë është kthyer në oksigjen për këta politikanë, që ngrenë gotat dhe s’do t’ua prishë njeri gostinë.’

‘Unë nuk jam më mësues, dhe një nga arsyet e ikjes sime nga arsimi është largimi i nxënësve. Janë a nuk janë 130 nxënës,  unë kur kam qene mesuës kanë qënë mbi 400 nxënës. Sot viti i parë nuk i ka 20 nxnënës.’

‘Të bëhemi të gjithë bashkë për fëmijët tanë.’

Ndiqni aktivitetin në linkun më poshtë: https://www.facebook.com/share/v/9ksgx4NaGiUm6Qdx/?mibextid=WC7FNe