February 5, 2024
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” të dielën u ndal në qytetin e Lezhës, ku zhvilloi bashkëbisedimin e radhës me qytetarët. Në Pallatin e Kulturës “Dedë Ndue Lazri”, bashkëthemelues të këtij grupimi shpalosën katër pikat e platformës së tyre me qëllim demokratizimin e vendit.Fjala nisi nga avokati dhe aktivisti i shoqërisë civile, Elton Laska.
Elton Laska
'Do të doja që të evidentoja faktin që në çdo takim, pas fjalës së ekipit i jepet fjala çdo të qytetari prezent, të diskutojë të bëjë pyetje, pra jemi të hapur. Doja të ndalesha dhe tek një fjalë e vogël, më kujtohet shpesh:
Kur e pyetën Nënë Terezën:
Si arrite të bësh kaq gjëra të mëdha për botën? Ajo u përgjigj: Duke bërë gjëra të vogla, me dashuri të madhe.
I ftuar në këtë takim ishte Gjenerali Dedë Prenga. Sipas tij, “kokat e nxehta të pushtetit” janë shqetësuar nga kërkesat e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, sepse në bazë të këtyre kërkesave pushtetin e merr drejtpërdrejt populli.
“Nëse kanë mundësi, pushtetarët duan vetëm ta kontrollojnë votën. Ata janë me parimin ‘populli voton, komisionet partiake numërojnë’. Ka ardhur koha që emigrantët tanë, 50% e popullsisë shqiptare, të kenë të drejtën e votës. Ata nuk manipulohen. Le të shpresojmë që në vitin 2025 të kenë zërin e tyre. Kontributi nuk jepet vetëm kur jeton këtu, por edhe nëpërmjet votës për zhvillimin e demokracisë. Njerëzit e partive kanë deformuar votën. Kjo nismë ka filluar të shqetësojë dhe nevrikosë kokat e nxehta të pushtetit, sepse ka gjetur mbështetje nga partnerët tanë ndërkombëtarë, pa të cilët e kemi të vështirë për të bërë ndryshimet e duhura demokratike, që të jemi të barabartë përpara ligjit dhe Perëndisë. Mbështetja juaj nuk do të shkojë dëm. Pushteti do të jetë i popullit. Këtë duan shqiptarët”.
Kryefjala e gazetares Edona Haklaj ishte rinia, e cila po braktis vendin, sepse nuk e sheh të ardhmen këtu. Ajo dha edhe disa mesazhe mirënjohjeje për mikpritjen e lezhjanëve.
“Unë jam një nga të rejat e këtij vendi, e cila ka dëgjuar gjithmonë se në Shqipëri nuk jetohet dhe se ky vend nuk bëhet, por ne do ta bëjmë. Ka ardhur momenti ta bëjmë tani, sepse nuk ka më kohë. Në Lezhë mësova se organizohet një natë e shtegtarëve, përkushtuar emigrantëve. Nëse e keni vënë re, në logon tonë kemi një dallëndyshe. Simbolika e saj lidhet me emigrantët të cilët shkojnë jashtë vendit, por kthehen në folenë e tyre. Shpresojmë që me këtë rrugëtim të mos kemi vetëm një ditë kushtuar shqiptarëve që janë jashtë, por të krijohen kushtet që ata të kthehen në vendin tonë. Të rinjtë tanë kanë qenë këto ditë në qytetin tuaj, duke ju dorëzuar ftesa për takimin e sotëm. Kam disa porosi prej tyre. Një rrobaqepëse lezhjane u kishte treguar se na ndjek përditë në postimet tona dhe në TV, por nuk mund të vinte sot, sepse kujdeset për një të moshuar të sëmurë. E përshëndesim! Falenderojmë gjithashtu shumë prej familjeve lezhjane, të cilat u kishin hapur dyert e shtëpive të rinjve tanë, duke i ftuar për një kafe dhe për të kuvenduar. Të rinjtë e Lëvizjes kishin takuar të tjerë të rinj lezhjanë, të cilët në kafene menjëherë afroheshin drejt tyre dhe u tregonin brengat e jetës në Lezhë dhe Shqipëri. Unë jam 25 vjeç dhe e di se rruga e jetës sime është e gjatë, por dua që të rinjtë të kuptojnë se ne e meritojmë të jetojmë në Shqipëri. Shpresoj që të ketë shumë të rinj, të cilët do t’ia ndryshojnë faqen për mirë këtij vendi. Nuk ka forcë më të madhe se populli kur bashkohet!”
Edlira Çepani, juriste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut e barazinë gjinore, u shpreh se shqiptarët duhet të heqin dorë nga zgjidhjet individualiste, sepse ka ardhur koha për zgjidhje me themel.
“Na pyesin se pse po e bëjmë këtë gjë. Na thonë se ishim mirë në profesionet tona, të qetë pranë familjeve. Na pyesin se pse iu futëm detit me këmbë. Na thonë se kjo gjë është shumë e vështirë. E vërtetë. Kjo që kemi marrë përsipër është shumë e vështirë. Sapo lindim, na thonë se ky vend nuk bëhet, se Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë. Lezha ka treguar që në kohën e Skënderbeut, se kur njerëzit bashkohen për vendin e tyre, kur duan ndryshimin ndaj pushtuesve që duken të pamposhtur, ia dalin. Ndryshimin e presim nga të tjerët. Presim nga njerëzit që kemi rrotull, por harrojmë se ne jemi ata që e kemi ndryshimin në dorë. Mendojeni veten sikur jeni në një sallë të errët dhe keni në dorë vetëm celularin. Po ecni në errësirë të plotë dhe ndizni dritën e celularit. A e dini çfarë bën kjo drita? Ndriçon vetëm rrugën tuaj, vetëm momentin aty ku ju jeni. Po sikur ta ndezë dritën edhe dikush tjetër? Bëhet edhe më shumë dritë. Po sikur t’i ndezim të gjithë dritat tona? Hapini celularët! Shihni sa bukur! Edhe në një sallë sjellim plot ndriçim. Secili prej nesh ka dritën e tij të shpresës, që mund ta sjellë në komunitet. Duhet ta hapim secili dritën e shpresës, atë që kemi në dorë.
Jemi mësuar shpesh që t’i bëjmë gjërat individualisht. Kjo na është dukur si zgjidhja e vetme. Në fakt, sa më shumë që mundohemi t’i zgjidhim gjërat individualisht, aq më shumë i thellojmë problemet. Sa prej jush keni probleme me arsimin, ngaqë shkollat janë pa ngrohje e plot problematika? Sa prej jush keni patur një problem shëndetësor dhe ju ka zënë tmerri, sepse duhet të shkoni në Tiranë ose jashtë shteti për kurim? A e dini se sa fëmijë presin në radhë për ilaçet e kimioterapisë? Sa prej jush vuajnë papunësinë në një qark, i cili është nga më të pasurit e Shqipërisë? Fermerët e Lezhës më thonë se kanë problem vaditjen, kur ne flemë në ujë. Sa prej fermerëve rrezikojnë jetën duke shitur prodhimet e tyre në autostradë? E bëjnë, sepse nuk ka një sistem që t’i bashkojë. Mungon vizioni për të zgjidhur problemet. Këto nuk zgjidhen individualisht, sepse duhet ta nisim nga themelet. Duhet ndryshimi i atij sistemi që po i mbyt qytetarët. Duhet ta nisim nga meritokracia, sepse ka ardhur koha!
E keni vënë re se duhet të pyesim shtetin për gjithçka që duam të bëjmë në jetë? Nëse duam të martohemi, duhet leje. Nëse duam t’i japim makinës, duhet leje. Nëse duam të blejmë një pronë, sërish na duhet leje. Ne i marrim leje shtetit për çdo gjë, por shteti a na merr leje neve për gjërat që bën? A ju ka marrë leje shteti, që Lezha të mbushet me emigrantë të cilët as që duan të vijnë në Shqipëri? Qytetarët duhet të kenë zërin e tyre dhe kjo bëhet nëpërmjet referendumeve. Ne duhet të bashkohemi për t’i dhënë fund kësaj situate skllavëruese”
A do e cojme deri ne fund?! PO
Sepse po e bejme per femijet tane.
Sepse nuk ka asnje stuhi qe zgjat pafund, ndaj dhe stuhia jone nuk do te zgjase pafund.
Sepse neve kemi vendosur te mos heqim dore nga Shqiperia, dhe te bejme ate pak qe kemi ne dore.
A behet Shqiperia? Patjeter qe behet, behet duke u bashkuar te gjithe bashke dhe duje ngritur zerin per te kerkuar me shume, sepse me meritojme me shume. Behet sepse nuk ka force me te madhe se populli kur bashkohet!!”
Avokati Adriatik Lapaj tha se politikanët shqiptarë duan të kenë edhe postet, edhe të garojnë se kush bëhet më i pasur. “Nuk mund të kesh edhe lavdinë, edhe paranë”, theksoi ai. Mes të tjerash, Lapaj theksoi se marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët është një padrejtësi, e cila tregon domosdoshmërinë e Ligjit për Referendumet.
“Rruga që kemi nisur është e vështirë. Po jetojmë në kohë të vështira. Vendi është në pesimizëm total. Rinia e sheh të ardhmen jashtë. Pensionistët marrin pensione që nuk mbulojnë kostot e jetës së përditshme. Kjo duhet të ndryshojë. Thonë se Shqipëria nuk bëhet. Sigurisht që nuk bëhet, kur vidhet. Nuk bëhet Shqipëria, nëse për inceneratorët paguhen 400 mln euro dhe plehrat janë rrugëve të Shqipërisë. Nuk bëhet Shqipëria, nëse për Rrugën e Arbrit janë investuar 260 mln euro dhe pas tetë vitesh punime asnjë pjesë e rrugës nuk është funksionale. Nuk bëhet, nëse drejtuesit e politikës e shohin veten si biznesmenë. Këtu duan të jenë edhe kryeministër, edhe në garë me biznesmenë; edhe ministër, edhe në garë me oligarkët. Nuk mund të jesh edhe biznesmen, edhe politikan. Nuk mund të kesh edhe lavdinë, edhe paranë.
Ne kërkojmë realizimin e katër pikave kryesore për demokratizimin e vendit. Duam hapjen e listave, sepse partitë sot janë biznese në pronësi të atyre që i drejtojnë. Na duhet një sistem, i cili garanton që karriera e deputetit të mos varet nga oreksi i kryetarit, por nga sjellja e tij me qytetarin. Na duhet një sistem si vëllezërit tanë në Kosovë. Po kërkojmë votën e emigrantëve, sepse kushtetuta ua jep këtë të drejtë. Ata janë fëmijët, motrat dhe vëllezërit tuaj, të cilët në 32 vite, me sacrificë dhe gjak, kanë mbajtur gjallë ekonominë tonë. Ata e meritojnë. Nuk po u dhurojmë gjë. Diaspora mund të bëjë kthimin e madh, sepse emigrantët nuk i kërcënon dot me asgjë. Po kërkojmë edhe Ligjin për Referendumet, që qytetari të pyetet, në nivel lokal dhe kombëtar, për vendimet që qeveria apo bashkia merr dhe ngjallin debat të madh publik. Emigrantët që po sjellin në Lezhë janë qokë për kryeministren Meloni. Rama e trajton Shqipërinë si ta kishte pronë private. Prandaj duhet Ligji për Referendumet. E katërta, kërkojmë depolitizimin e administratës zgjedhore, që të heqim sëmundjen e mosnjohjes së zgjedhjeve. Të gjithë ankohen ‘na vodhën’. Ata që janë të vegjël nuk garojnë dot, sepse të mëdhenjtë nuk i lejojnë dhe ndajnë votat me njëri-tjetrin. Mendoni pak sikur Lezha të luante me Tiranën dhe loja të kishte dy gjyqtarë. Si mund të lejohet kjo? Duhet një gjyqtar i pavarur. Ne propozojmë avokatë, gjyqtarë dhe prokurorë në qendrat e votimit, që vota të mos preket më.
Nuk po kërkojmë mandate për vete. Po kërkojmë gjëra të zakonshme, të cilat i ka Kosova një për një. Atje rezultati i zgjedhjeve del për pak orë. Jemi i njëjti komb, por në Kosovë kanë sistem. Kemi ardhur të kërkojmë bashkimin tonë të madh për parimet, për rregullat. Le të fitojë më i miri, me garë dhe meritë! Thirrini mendjes: do të vazhdoni me këta, apo me një brez të ri që do ta ndryshojë Shqipërinë nga themelet? Mos prisni që Zoti të dërgojë një profet. Keni vite që thoni ‘si nuk dolën disa të rinj?’. Ja ku i keni! Mbështetini! Ju lutem, mos na lini vetëm!”
Ndiqni aktivitetin në linkun më poshtë: https://www.facebook.com/faqjazyrtareshqiperiabehet/videos/935230417602657
Kontribuo për qëllimin e përbashkët: https://www.shqiperiabehet.al/kontribuo