March 11, 2024
Vendtakimi i radhës i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” këtë të shtunë ishte Divjaka, aty ku ekipi zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët. Qindra banorë të zonës shprehën shqetësimet e tyre për gjendjen aktuale në Shqipëri, kryesisht për shpopullimin dhe regresin socio-ekonomik që po pëson vendi ynë.
Avokati Adriatik Lapaj u kërkoi mbështetje qytetarëve të Divjakës, duke bërë thirrje për një bashkim të madh kundër politikës së vjetër, e cila ka marrë peng Shqipërinë prej tri dekadash. Ai vuri theksin te rëndësia e katër pikave themelore të platformës së Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”: vota e diasporës, sistemi i ri zgjedhor (proporcional kombëtar me lista të hapura), depolitizimi i administratës zgjedhore (komisionerët që zëvendësohen me profesionistë të pavarur) dhe ligji për referendumet.
“Na thonin të mos shkonim në Tropojë, por atje e gjetëm sheshin plot. Na thanë të mos vinim në Divjakë, por shihni sa njerëz jemi këtu. Ja, pra, që ka ardhur koha e bashkimit të madh të shqiptarëve! Bashkim për të kërkuar më shumë të drejta, më shumë dinjitet dhe më shumë mundësi, që ju ta ndërtoni jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj me punë të ndershme, pa patur frikë askënd. Pse duhet të keni frikë?! Këta ju mbajnë juve me bukë, apo ju i mbani ata me bukë? Këta vijnë për t’ju punuar fushat juve? Këta jua rritin fëmijët juve, apo jeni ju ata që punoni nga mëngjesi deri në darkë dhe me djersën tuaj çoni fëmijët e tyre me pushime?
Këta (politikanët e vjetër) e kanë kthyer Shqipërinë në një vend lufte. Në Ukrainë, vend i cili është në kushtet e luftës prej 24-25 muajsh, sot e ka çmimin e naftës 140 lekë për litër. Këtu, në vendin e naftës, ku prodhohet naftë më shumë se në vendet e tjera të rajonit në raport me numrin e popullsisë, nafta shitet me çmim 190-200 lekë për litër. Bujku në Maqedoninë e Veriut e blen naftën 60 lekë më lirë. Fermeri grek e blen 70 lekë më lirë. Po si do i konkurroni ju ata? Nafta në Kosovë sot shitet 54 lekë më lirë se në Shqipëri. Si ka mundësi, kur Kosova naftën e merr në vendin tonë? Ka mundësi, sepse atje sistemi i hapur ka krijuar mundësinë që populli të ketë një qeveri demokratike, e cila punon pë popullin. Këtu, ndërkohë, kemi bandat, të cilat punojnë për vetëm pesë familje. Kjo duhet të ndryshojë, sepse vendi do të zbrazet. Në 7 qarqe të Shqipërisë sot ka më shumë vdekje sesa lindje. A mund të më thoni se çfarë subvencioni merrni sot në bujqësi? A merrni naftë më të lirë ju, apo jo? A i paguani taksat ju? Kur vjen puna për taksa, pushtetarët janë gjithmonë aty, kurse për t’ju dhënë juve, jo, nuk janë aty. Epo kjo duhet të ndryshojë!
Ne po kërkojmë katër pika themelore, të cilat lidhen me demokratizimin e vendit, aty ku buron zhvillimi për të gjithë ju. Kërkojmë hapjen e sistemit, sepse Shqipëria është kthyer në një vend me dy biznese të mëdha. Duam ta hapim sistemin, që ju të zgjidhni më të mirët, që më të mirët të kenë mundësi më pas për t’ia dalë dhe për të drejtuar në të gjitha fushat e jetës. Kërkojmë votën e diasporës, sepse emigrantëve shqiptarëve vota u takon me kushtetutë. Sipas ligjit themelor të shtetit, çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të zgjedhë e të zgjidhet. Ata janë vëllezërit, motrat, fëmijët dhe të afërmit tanë, prandaj e meritojnë votën. Nuk mund t’i trajtojmë si mish i huaj. Politikanët e vjetër nuk e duan votën e diasporës, sepse nuk e kontrollojnë dot vullnetin e shqiptarëve jashtë vendit, të cilët jetojnë të lirë në vende me demokraci dhe zhvillim. Nuk i kërcënojnë dot, nuk u bëjnë dot presion me të fortët, nuk u marrin dot kartën e identitetit në ditën e votimeve. Pra, kanë frikë se shpirti i tyre i lirë do t’i ndëshkojë. Me ta do të vijë procesi i ndryshimit në Shqipëri! Po kërkojmë referendumet, sepse janë plumbi rezervë në duart e popullit për të ndëshkuar çdo politikë kundër tij. Nëse pushtetarët duan të shkatërrojnë pasurinë e përbashkët në Divjakë, populli, me referendum, u thotë: ‘Jo, këtu ka zot e vatan, kështu që Divjaka nuk do të prishet’. Po kërkojmë edhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Më thoni një ndeshje me dy ekipe, ku në fushë secili ekip ka gjyqtarin e tij. Jo, gjyqtari duhet të jetë asnjanës. Partitë e vjetra nuk mund të kontrollojnë të gjitha hapat e procesit zgjedhor dhe të na thonë neve ‘ejani të garoni me ne’. Jo, kjo duhet të ndryshojë! Ne jemi në rrugën e njerëzve të drejtë. Kur njeriu ndjek të drejtën, nuk ka fuqi që e ndal. Ju sot jeni flamurtarët e parë të ndryshimit në Divjakë. Me dorë në zemër, ju kërkoj të mos na lini vetëm”.
Ekonomistja Agustela Thoma e konsideroi urgjente votën e diasporës, si një mjet fillestar për dhënien e rolit që u takon emigrantëve shqiptarë, si një shpresë për kthimin e tyre në atdhe në ditë më të mira. Ajo foli jo vetëm si aktiviste, por edhe si nënë me dy fëmijë, e shqetësuar për të ardhmen e afërt.
“Unë jam Agustela, nënë e dy fëmijëve, me profesion ekonomiste. Jam shumë e privilegjuar të flas përpara jush në emër të ekipit ‘Shqipëria Bëhet’. Ky ekip përbëhet nga djem dhe vajza fantastike, me integritet dhe të shkolluar, me të cilët kam patur fatin të njihem në pesë muajt e fundit. Kësaj lëvizjeje i jam bashkuar që ditën e parë, nxitur nga ndjesia e zhgënjimit të akumuluar për tri dekada me radhë. Largimi i shqiptarëve po ndodh kudo, jo vetëm në Divjakë. Kjo është një plagë e shoqërisë, të cilën duhet ta trajtojmë. Kam dy fëmijë dhe ëndrra ime më e madhe është që ata ta jetojnë jetën në Shqipëri. E kam amanet nga nëna ime, e cila frikësohej se unë dhe vëllai im do të largoheshim. Ajo besonte fort se familja është gjëja më e shtrenjtë dhe na kërkonte të mos largoheshim. Nëse nuk punoj fort për fëmijët e mi, që ata të jetojnë në vendin tonë, nuk kam si t’u kërkoj të mos ikin. Duhet të luftojmë të gjithë bashkë.
Na pyesin pse po këmbëngulim për votën e diasporës. Ne i qëndrojmë fort kësaj kërkese dhe kemi të drejtë që luftojmë, sepse emigrantët sot janë më shumë se ne në numër dhe na sjellin rreth 1,2 miliardë euro në vit si ndihmë për familjet tona. Ata e meritojnë votën. Ne besojmë se vota e emigrantëve do të na çlirojë. Duke bashkuar fuqitë, ne dhe ata, do të mundësojmë që vota të jetë e lirë. Në këto kushte, do të kemi mundësinë që të votojmë të rinj të papërlyer, që nesër më të mirët të drejtojnë Shqipërinë. Unë kam besuar në 4 pikat themelore të Lëvizjes sonë, të cilat unë vërtet mendoj se janë çelësi i demokracisë së munguar këto vite. Në këto pesë muaj rrugëtim, ajo që kam vënë re është se shpresa nuk ka vdekur totalisht. Ekziston një shkëndijë e vogël dhe shpresa po bëhet më e madhe. Kjo është një ftesë për ju, që të na bashkoheni dhe ta çojmë këtë gjë deri në fund”.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, Edlira Çepani, i mëshoi fort idesë se sistemi aktual nuk i lejon të mirët të marrin pjesë në procesin zgjedhor, sepse nuk u mundësohet parimi i barazisë në garë.
“Kemi disa vite që punojmë duke kontribuuar në terren, duke vajtur fshat më fshat dhe duke ndihmuar njerëzit në nevojë. Kemi bërë aktivizëm të pandërprerë, brenda dhe jashtë sistemit, por kemi kuptuar se kjo nuk mjafton. Kemi kuptuar se duhet të marrim së bashku një vendim: do të vijojmë kështu, duke marrë valixhet për të ikur, apo do të mblidhemi bashkë për të mos e lejuar vendin tonë të shkojë në greminë? Nuk mund të lëmë një grup të vogël njerëzish të tallen me jetët tona dhe të fëmijëve tanë. Nuk mund të jetojmë në një nga vendet më të begata dhe njëkohësisht të jemi një ndër vendet më të varfra. Divjaka është një nga zonat më të pasura në Shqipëri. Me investimet dhe vëmendjen e duhur, kjo zonë do të eksportonte produkte jashtë vendi dhe do të ishte shumë e begatë. Ne këtu po shohim zhgënjim, njerëz që largohen. Ata nuk kontribuojnë dot në ekonominë lokale dhe kombëtare, sepse u janë vendosur barriera. Janë të dënuar të jenë skllevër, të varur dhe të varfër. Kjo është arsyeja pse e kemi nisur këtë rrugë. Duam të ndërtojmë një Shqipëri që nuk i largon fëmijët e saj. Ndaj e kemi marrë këtë rrugëtim, jo për vete, por për ata!
Shumë prej jush në këtë sallë jeni bujq. Si rritet një pemë e fortë? Me rrënjë të fuqishme. Kjo është edhe mënyra me të cilën ne duam ta bëjmë Shqipërinë, nga themelet. Rrënja është meritokracia. Rrënja është fuqizimi i rolit të atyre qytetarëve që duan të kenë një zë. Kjo nis duke kërkuar referendumet, që populli ta pengojë shtetin, nëse ky i fundit, për shembull, kërkon ta kthejë Divjakën në një qendër industriale pa pyetur askënd. Nga ana tjetër, a keni sot mundësinë për të propozuar e votuar një kandidat që ju përfaqëson? Jo, sepse zakonisht janë kryetarët e partive ata që vendosin emrat në listat e kandidatëve. Me sistemin aktual, ju nuk votoni dot për atë që doni. Mund ta gjeni të pozicionuar shumë poshtë në listë dhe sistemi do ta penalizojë votën tuaj, duke e penguar kandidatin të ketë sukses. Sot, i pari në listë është më i avantazhuar se i dyti, i dyti më i avantazhuar se i treti dhe kështu me radhë. Zgjidhja është sistemi me lista të hapura, ai që na ndihmon të zgjedhim më të mirët, në një garë të barabartë dhe me meritokraci. Ne do t’ia dalim, sepse po ndjekim rrugën e duhur, sepse e dimë që Shqipëria e ka ende një shans. Dhe do t'ia dalim bashkë, sepse nuk ka fuqi më të madhe sesa populli kur bashkohet!”
Anëtari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Erion Muska, u bëri thirrje qytetarëve për një bashkim të madh popullor, sepse Shqipëria po shkon drejt humnerës. “Ky rrugëtim për mua ka qenë një gjë e bazuar në emocione dhe dëshira me miqtë dhe kolegët. Kudo ku shkojmë, dëgjojmë të njëjtat probleme. Ne duam të flasim edhe për atë rini e cila e ka ndarë mendjen që të jetojë këtu, nuk do të largohet, do të shohë prindërit që plaken dhe fëmijët që rriten. Fatkeqësisht, e ardhmja jonë është në rrezik. Kemi 33 vite me të njëjtët njerëz. Qytetarët nuk shohin dinjitet në Kuvendin e Shqipërisë, sepse të zgjedhurit janë të lidhur me krimin, vjedhjen dhe pandëshkueshmërinë. Kjo ka bërë që të mos kemi besim tek askush, por ne duam të sjellim rregullat. Vota është e shenjtë, por në dy legjislaturat e fundit është shkatërruar fare, sepse në listat e votimit kemi vetëm njerëz të përcaktuar nga kryetarët e partive. Kjo gjë duhet të marrë fund një herë e mirë, ose nuk do t’i shohim më njerëzit tanë. Shqiptarët jashtë shkëlqejnë, sepse atje ku jetojnë u jepen mundësi. Këtu, jo. Ky vend ka rrëshqitur në humnerën e padrejtësisë dhe korrupsionit. Kjo është arsyeja pse ka kaq shumë refuzime për të votuar. Ka ardhur koha të bashkohemi, sepse përndryshe po vjen fundi ynë. Shqipëria duhet të bëhet dhe do të bëhet!”
Kontribuo për qëllimin e përbashkët: https://www.shqiperiabehet.al/kontribuo
Ndiqni aktivitetin në linkun më poshtë: