Image

'Shqipëria Bëhet' dorëzon në Kuvend draft/propozimin për votën e Diasporës


KLIKONI KËTU PËR TË SHKARKUAR MATERIALIN NË FORMATIN PDF.

Në kuadër të aktivitetit të Lëvizjes “Shqiperia Behet”, që ka në fokus të saj nxitjen e veprimtarive për proceset demokratizuese të vendit, dhe në përmbushje të angazhimeve tona përballë qytetarëve, dorëzuam  në Kuvendin e Shqipërisë draft propozimin tonë (drejtuar 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë) për ushtrimin e të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë me qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 81, pika 1, ka përcaktuar se të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli  i  Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës si një hap i parë, drejt realizimit të votës nga jashtë territorit të shtetasve shqiptarë me vendbanim të përhershëm apo vendqëndrim të përkohshëm, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i drejtohemi me këtë kërkesë deputetëve të Parlamentit Shqiptar për të iniciuar procesin për propozimin e ndryshimeve ligjore përkatëse.

Nëse ky propozim nuk merret parasysh do të procedojmë me mbledhjen e 20.000 firmave për ta sjellë si iniciativë qytetare.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 45, pika 1, përcakton se çdo shtetas/e shqiptar/e në moshën tetëmbëdhjetë vjeç (qoftë edhe ditën e zgjedhjeve), ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. E drejta e votës, konkretisht e drejta për të zgjedhur, është një nga të drejtat themelore politike që gëzon individi.
Në përmbushje të detyrimeve kushtetuese, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr. 101/2020 ka bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke përcaktuar mundësinë për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin për shtetasit shqiptarë me banim jashtë vendit.

Në këtë ligj, megjithatë, nuk janë përcaktuar afate për nxjerrjen e akteve nënligjore për ta bërë të zbatueshëm. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, përmes vendimit nr. 38, datë 09.12.2022, bazuar në përcaktimet e nenit 76, pika 5, të ligjit nr. 8577/2000, ka vendosur detyrimin e ligjvënësit për të plotësuar kuadrin ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit.

Prandaj, ne sot në zbatim të përcaktimeve Kushtetuese, por dhe në frymën e detyrave të lëna nga Gjykata Kushtetuese, po dorëzojme draft propozimin e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor me qëllim mundësimin e votës së diasporës.

Diaspora është një nga kontribueset kryesore në ekonominë shqiptare, e cila gjithashtu sjell një bagazh të rëndësishëm të përvojave perëndimore, të cilat janë të domosdoshme për Shqipërinë. Përveç këtyre, diaspora sjell mundësinë e votës për pjesën më të pacenueshme të elektoratit (referuar presioneve apo nevojave të ndryshme të qytetarëve në raport me pushtetet lokale).
Ky është momenti t’i mundësojmë Diasporës të drejtën Kushtetuese  të votës.

webflow icon
Buy this Template
All Templates