VOTA E DIASPORËS

Përse duhet vota e diasporës dhe përse është e rëndësishme për demokratizimin e vendit?


1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 45, pika 1, përcakton se çdo shtetas/e shqiptar/e në moshën tetëmbëdhjetë vjeç (qoftë edhe ditën e zgjedhjeve), ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.


E drejta e votës, konkretisht e drejta për të zgjedhur, është një nga të drejtat themelore politike që gëzon individi. Kontributi kryesor i saj është garantimi i mundësisë për të gjithë zgjedhësit, pa bërë dallime mbi baza shtresash apo përkatësie në grupe të caktuara shoqërore dhe as mbi baza të tjera, që të ndikojnë në formimin e vullnetit politik në një shoqëri demokratike. Nga ushtrimi i së drejtës së votës nuk duhet përjashtuar asnjë pjesë (sado e vogël) e popullsisë, përveç rasteve të përcaktuara në ligjin themeltar të shtetit (shih vendimet nr. 31, datë 04.10.2021; nr. 28, datë 30.06.2021; nr. 40, datë 16.11.2007 të Gjykatës Kushtetuese).


Garantimi i së drejtës së votës nga Kushtetuta nënkupton se është detyra e ligjvënësit ta materializojë dhe specifikojë këtë të drejtë në ligje përkatëse. Këto të fundit duhet të sigurojnë që e drejta e votës të ushtrohet në mënyrë efektive dhe jo të kufizohet. E drejta e votës nuk është një privilegj të cilin pushteti shtetëror ua njeh shtetasve, por një instrument për të zgjedhur mënyrën dhe personat të cilët do të qeverisin vetë ata. Duke ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësve u krijohet mundësia të ndikojnë në mënyrën dhe cilësinë e funksionimit të rendit juridik, duke e bërë shtetasin më të përgjegjshëm për rolin e tij në drejtimin e jetës së vendit. Ky, në fakt, është edhe thelbi i demokracisë (vendimet nr. 28, datë 30.06.2021; nr. 40, datë 16.11.2007 të Gjykatës Kushtetuese).


Në përmbushje të detyrimeve kushtetuese, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr. 101/2020 ka bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke përcaktuar mundësinë për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin për shtetasit shqiptarë me banim jashtë vendit. Në këtë ligj, megjithatë, nuk janë përcaktuar afate për nxjerrjen e akteve nënligjore për ta bërë të zbatueshëm. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, përmes vendimit nr. 38, datë 09.12.2022, bazuar në përcaktimet e nenit 76, pika 5, të ligjit nr. 8577/2000, ka vendosur detyrimin e ligjvënësit për të plotësuar kuadrin ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit.


2. Diaspora është një nga kontribueset kryesore në ekonominë shqiptare, e cila gjithashtu sjell një bagazh të rëndësishëm të përvojave perëndimore, të cilat janë të domosdoshme për Shqipërinë. Përveç këtyre, diaspora sjell mundësinë e votës për pjesën më të pacenueshme të elektoratit (referuar presioneve apo nevojave të ndryshme të qytetarëve në raport me pushtetet lokale).

webflow icon
Buy this Template
All Templates