April 1, 2022

Takimi i parë ne fshatra, “Shqipëria Bëhet” takon fermerët dhe blegtorët

Image BD

Takimet e parë të rrugëtimit tonë në zonat rurale me fermerë e blegtorë u zhvilluan në fshatrat Drenovicë, Samatic, Gorican, Kutalli, Pobrat dhe Rërëz të bashkisë Dimal. Masiviteti dhe mbështetja e tyre na dha shumë emocion.


“Këta pushtetarët tanë, 140 deputetë e 61 kryetarë bashkish, janë agallarët e Shqipërisë. Këta janë ata që e kanë vjedhur, e kanë sakatuar këtë vend. E vodhën sa e vodhën pasurinë dhe tani u kthyen nga tokat, nga bregdeti e në mal. 30 vite kam votuar Partinë Socialiste, por jam lodhur aq shumë, sa kur fëmijët vendosën të emigronin, kam kaluar një muaj pa dalë nga shtëpia. Shpresën e kemi te rinia, te ju”, - u shpreh një nga fermerët e pranishëm.


“Është një nga rastet e rralla, kur vjen dikush të dëgjojë hallet tona përtej fushatave elektorale. Sa herë ka fushata, politikanët vijnë dhe japin premtimet e tyre. Ikin, kalon fushata, kalojnë katër vite, tetë dhe dymbëdhjetë po bëhen tani, ne ngelim në vendnumëro. Jemi duke u vjedhur dita-ditës. Mundin tonë nuk e vlerëson askush dhe jemi duke u shtypur. INSTAT në Tiranë mburret me shifra dhe njofton tejkalim të prodhimit. Po si u tejkalua?! U tejkalua nga zyrat atje në Tiranë?! U tejkalua nga Parlamenti? U tejkalua nga PS-ja, PD-ja, PR-ja apo të gjitha bashkë? Po jo, more zotëri, se e tejkaluam ne atë. Ndërkohë, nafta e bujqësisë paguhet njëlloj sa një Mercedez i Erion Veliajt atje në Tiranë”, - ishte reagimi i një fermeri tjetër të shqetësuar.


Adriatik‍ Lapaj – “Shqetësimet që ju keni, janë të drejta. Rezulton se gjithë zona juaj ka një sipërfaqe me serra rreth 500 hektarë, të cilat prodhojnë rreth 80 mijë tonë perime në vit. Në vlerë tregu, në tregjet ku shiten përkthehen me 50,6 milionë euro. Ekonomia shqiptare nga këto fshatra merr këto lekë, por sa kthen mbrapsht nëpërmjet financimeve apo subvencioneve? Sa i kthen fermerit të zakonshëm përmes infrastrukturës? Sa nga ju këtu në pesë vitet e fundit kanë marrë subvencione për plastmasin? Sa nga ju kanë marrë subvencionim për plehrat kimike? Sa kanë marrë subvencione për qumështin? Pra, qytetari i zakonshëm nuk merr asnjë gjë”.


Florjan Binaj – “Këtu është e qëllimshme, që çdo politikë e gabuar ta paguajë qytetari. Në gjithë këto vite, si ka mundësi që domatja në kryeqytet vjen më e lirë nga Italia se sa domatja e zonave tuaja? Çdo lloj produkti na vjen më lirë nga jashtë shtetit se sa nga vendi ynë, sepse politikat janë bërë të qëllimta. Ju jeni si një prind i cili ushqen fëmijën, pra ju ushqeni Shqipërinë. A keni parë në ndonjë vend të botës, që prindit që ushqen fëmijën t’i vihet taksë thjesht se po ushqen fëmijën? Ju duhet bëheni bashkë. Po ushqeni një komb. Nëse bëheni bashkë, ju diktoni rregullat e lojës dhe nuk i diktojnë ata”.


Etleva Merko – “Dikush më tha: ‘Ne punojmë, mbjellim, por nuk kemi treg ku t’i shesim prodhimet dhe pjesa më e madhe e tyre groposen’. Më erdhi shumë keq, realisht, se mundi i gjithë jetës suaj shkon dëm. Pyeta: ‘Po shkollë, a ka?’ Më thanë se është një shkollë e rikonstruktuar, por nuk ka sistem ngrohjeje. Pra, ne bëjmë shkolla, investojmë, por nuk ka sistem ngrohjeje. Nuk ka as transport. Investojmë, por nuk marrim shërbime. Ju kanë premtuar ndarjen e parcelave, sepse ende ligjërisht ju jeni në gjyqe për ndarjen e parcelave, një fenomen që duhet të ndryshojë. Çdo gjë duhet të bëhet në favor të qytetarëve, jo në favor të pushtetarëve. Shqipëria është shumë e bukur, e bekuar nga Perëndia, por e vjedhur në kaq vite nga politikanët tanë”.