October 23, 2023

Mikpritje emocionuese nga komuniteti shqiptar në Milano

Image BD

Takimi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” me shqiptarët në Milano kishte një energji të jashtëzakonshme. Anëtarët tanë u nisën me misionin për të frymëzuar diasporën, por frymëzimi më i madh erdhi nga vetë emigrantët tanë, të cilët reaguan me besim dhe na dhanë emocionet për të cilat kishim nevojë. Më poshtë, disa nga fragmentet kryesore të fjalës së anëtarëve:


Ervis Çela – “Kemi kaluar shumë qeveri e shumë ligjvënës, të cilët kanë premtuar, por nuk kanë zgjidhur asgjë. Ndaj dhe ne kemi evidentuar atë që është ‘thembra e Akilit’ në zgjidhjen e këtij problemi: vendosja e njerëzve të duhur në pozicionet me përgjegjësi. Kjo zgjidhet vetëm duke patur vullnet nga ata të cilët e kanë mundësinë. Bëhet, patjetër, duke bërë atë që ne po bëjmë sot, duke qenë bashkë për ta vendosur atë që është e drejtë. Realizimi i këtij qëllimi bëhet nëpërmjet garës, sepse me garë padiskutim që zgjidhet më i miri. Duke u zgjedhur më i miri, sigurisht që ai/ajo do të bëjë më mirë se të tjerët”.


Edlira Çepani – “Krenaria më e madhe e vizitës sonë në Itali me qëllim për të takuar komunitetet shqiptare, është se kemi kuptuar se sa shumë është zhvilluar dhe rritur komuniteti shqiptar, sa shumë biznese janë ngritur prej jush. Ne vetëm dje njohëm kolegët tuaj, të cilët kishin qindra punëtorë, jo vetëm shqiptarë, por dhe të huaj, dhe kjo është një krenari për të gjithë ne. Në çdo vend të botës ku shqiptarët e ndershëm shkojnë, ata që duan të punojnë dhe t'ia dalin, ia dalin. Në çdo vend të botës ku ne shkojmë dhe hedhim sytë, shohim që ka shqiptarë të cilët ia kanë dalë dhe na bëjnë krenarë. Po pse nuk ia dalin dot të njëjtët shqiptarë në vendin e tyre, në atdheun e tyre? Problemi nuk janë shqiptarët, sepse ju jeni shembulli që shqiptarët ia dalin në çdo vend ku ata shkojnë. Kjo ndodh aty ku ka rregulla, në çdo vend ku ka meritokraci, në çdo vend ku ka institucione të cilat nuk i pengojnë njerëzit, por i lënë të lirë dhe mundësojnë shanse të barabarta për të ecur përpara. Që këto gjëra të ndryshojnë edhe në Shqipëri, ne duhet të bëhemi bashkë. Në diasporë ne kemi potencialin më të madh që mund të ketë një vend për të ecur përpara. Ne kemi nevojë për gjithsecilin prej jush, për eksperiencën tuaj”.


Florjan Binaj – “Vjen një moment që ndan atë numrin tënd, gjysmë mesazh ndërgjegjësimi dhe gjysmë për të qeshur, por nuk mjafton. Dalim publikisht, në shesh, në protesta, por nuk mjafton. Në 33 vite që nga rënia e komunizmit, kanë ikur nga Shqipëria më shumë shqiptarë se ç’kanë ikur nga 500 vite pushtim turk, një luftë ballkanike, dy luftëra botërore dhe 50 vite komunizëm të mbledhura bashkë. Jemi në pikën që është porta e fundit e mundshme e hapur dhe ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta mbajtur këtë portë hapur dhe duhet të besojmë te njëri-tjetri”.

Adriatik Lapaj – “Çfarë do në Itali ti? Çfarë do në Milano? Çfarë do në Firenze? Ja çfarë dua (i referohet pranisë së shqiptarëve në takim), sepse Shqipëria mund të bëhet falë diasporës së jashtëzakonshme që ka, vetëm falë jush. Unë jam sot këtu, shumë i emocionuar, sepse është bukur kur njerëzit afrohen vetë, pa furgonë, pa autobusë, pa kërcënime për vendin e punës, pa kërcënime me tatimet, me heqjen e kempit, pensionit, invaliditetit të prindit apo fëmijës. Kjo është gjëja më e bukur, kur njerëzit vijnë vetë. ‘Nuk bëhet Shqipëria’ thuhet kryesisht nga ata, pasi kanë vjedhur 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10 milionë euro dhe bëjnë komentuesin nga ndonjë cep i Evropës, Kanadasë apo Amerikës së Veriut. Po sigurisht që, po ta vjedhësh Shqipërinë, nuk bëhet. Më thoni një shtëpi që bëhet, kur babai apo nëna e vjedhin. Nuk bëhet po e vodhe, por bëhet po e deshe. Bëhet po punove, bëhet po vendose rregullat, garën, meritokracinë, ku më të mirët ia dalin e na udhëheqin në çdo fushë. Në Shqipëri na kanë udhëhequr më gangsterët, ata të cilët kanë marrë peng shtetin me procedurë, ata që nuk e duan garën. Kjo e ka çuar Shqipërinë në rrugë të paditur. Kjo e ka zbrazur Shqipërinë. Unë jam sot këtu për t’ju thënë se Shqipëria bëhet dhe për t’ju kërkuar një bashkim të madh. Kemi ardhur këtu si pjesë e një rrugëtimi për të krijuar një kohezion të madh social dhe për të imponuar ndryshime demokratike në Shqipëri. Duam të hapim garën, që më në fund shqiptarët (kudo ku janë) të votojnë atë që meritojnë”.