June 19, 2023

Mikpritje fantastike nga shqiptarët në Firenze

Image BD

Qindra shqiptarë, pjesë e komunitetit shqiptar në Firenze, iu bashkuan takimit të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” në nisjen e maratonës sonë të bashkëbisedimeve në diasporë. Vota e emigrantëve dhe e drejta e tyre për të votuar nga vendi ku jetojnë, sipas përfaqësuesve tanë, është thelbësore për demokratizimin e vendit dhe një kontribut i nevojshëm për zhvillimin e tij.


Bashkëthemeluesja e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Edlira Çepani, u shpreh se Shqipëria sot ka më nevojë se kurrë për shqiptarët e diasporës. Ajo bëri thirrje për bashkim të madh, duke u bërë një zë i vetëm. “Kemi kërkuar dhe do të kërkojmë deri në fund votën për diasporën shqiptare, jo vetëm se është një e drejtë kushtetuese, por edhe sepse Shqipërisë në këtë moment kyç i duhet ndihma juaj, ndihma e të gjithë shqiptarëve. Dhe nëse duam një vend më të mirë, një Shqipëri nga e cila t’i kthejmë sytë me krenari dhe me mall, një Shqipëri në të cilën, kur të zbresim në aeroport, të na e mbushë shpirtin plot dhe të themi ‘Po, është bërë Shqipëria’, mundemi ta arrijmë vetëm duke u bashkuar të gjithë, duke qenë një zë i vetëm, për të kërkuar më shumë dinjitet, sepse meritojmë më shumë”.


Bashkëthemeluesi Adriatik Lapaj foli për pengmarrjen e vendit nga një grusht njerëzish, të cilët kontrollojnë thuajse të gjitha fushat e jetës. “Rruga që kemi nisur nuk do të ndalë. Nuk do të ndalë deri në ditën që do ta shembim këtë sistem të mungesës së meritokracisë dhe të pengmarrjes së Shqipërisë nga një bandë e përbërë nga ngjyra të ndryshme, e cila e ka çuar pasurinë e një kombi në pesë duar. Nëse nuk reflektojnë – se tani e kanë gurin dhe arrën: vetë numërojnë, vetë votojnë, vetë vulosin, vetë i bëjnë të gjitha – atëherë do të përballemi. Si? Me një eksod të ri, nga diaspora në atdhe, për t’i shembur nëpërmjet votës. Me shpirt ne po bëjmë maksimumin. Ju e dini kë kemi përballë. E dini fuqinë e krimit, bandave, parasë së korrupsionit dhe të një sistemi ligjor që e ka marrë peng Shqipërinë, prandaj mos na lini vetëm”.


Gjatë bashkëbisedimit, emigrantët ndanë dhe problemet me të cilat përballen në vendet ku jetojnë dhe punojnë, ndërsa e cilësuan të rëndësishme të drejtën e tyre për të qenë vendimmarrës në proceset demokratike të vendit.


Florjan Binaj, bashkëthemelues i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, foli për rëndësinë e përfshirjes në një aksion të ri qytetar, me qëllim ndryshimin e vendit. “Shumë janë ata që na pyesin se pse e nisëm këtë rrugëtim. Epo, vjen një moment që as skeçet nuk mjaftojnë për të përcjellë mesazhet. Vjen një moment që as ‘meme’-t dhe postimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë. Vjen një moment, kur as protestat nuk mjaftojnë. Kështu, menduam ‘Pse të aktivizohemi vetëm në protesta? Duhet të jemi gjithmonë të pranishëm, duhet të mbledhim të gjitha qelizat tona, të mblidhemi së bashku dhe të krijojmë një organ funksional, që të punojë për këtë trup të madh që është Shqipëria”.