October 15, 2023

Qindra banorë të Tropojës na dhanë besën në Bajram Curri

Image BD

Tropoja konsiderohej e vështirë për bashkëbisedimet tona në Shqipëri, por qytetarët tropojanë na hapën zemrën duke folur për problemet e tyre. Vendtakimi ynë me ta ishte në Bajram Curri, ku qindra vetë treguan se shqiptarët kanë ende zjarr brenda vetes dhe duan ndryshimin.


“'Nëse do të kishim ligj për referendumet, Valbona nuk do të ishte shkatërruar për të përfituar pesë njerëz”, tha, mes të tjerash, Adriatik Lapaj, duke argumentuar se referendumet janë një domosdoshmëri në raportin e qytetarëve me qeverinë. “Më thanë të mos vija në Tropojë, se këtu njerëzit nuk do të vinin. ‘Çfarë do në Tropojë?’, më pyetën. ‘Edhe dy tropojanë të më dalin, unë ndihem krenar’, u thashë. Rruga që kemi nisur nuk është një rrugë e lehtë. Në kushtet e Shqipërisë është një sipërmarrje e vështirë, është një rrugë për të drejtën. Ne jemi të bindur për rrugën tonë, sepse ka ardhur koha. Besojmë fort se mënyra si është administruar Shqipëria në këto 33 vite ka prodhuar varfëri, mjerim dhe me të rinj që duan të ikin nga sytë këmbët. Kjo duhet të marrë fund. Nuk jemi të gjithë njësoj. Ju nuk mund të jeni njësoj me ata, të cilët e kanë vjedhur Tropojën në 32 vite. Nuk mund të barazohen ata që e kanë keqpërdorur këtë vend dhe fatet tona me ata që janë të keqtrajtuar”, u shpreh Lapaj.


“Ky është një rrugëtim që bëhet mbi parime. Nuk jemi këtu për të kërkuar votën, por për të ndërtuar një sistem të barabartë për të gjithë, ku më të mirët na udhëheqin në çdo fushë. Kur ka garë në politikë, hapet gara në të gjitha fushat”, vijoi ai. “Thonë se Shqipëria nuk bëhet. Si nuk bëhet? Shqipërinë e bënë atëherë kur kishim përballë të gjithë fuqitë e Ballkanit dhe një perandori. Baballarët dhe gjyshërit tanë shkrinë pasurinë e tyre dhe e bënë Shqipërinë. Këta e vjedhin nga mëngjesi në darkë. Po e vodhe, nuk bëhet Shqipëria”, përfundoi avokati.


Florjan Binaj – “Fatkeqësisht, në këto 33 vite kanë ikur nga Shqipëria më shumë shqiptarë seç kanë ikur nga 500 vjet pushtim, një luftë ballkanike dhe dy luftëra botërore. Amerika ka ndërruar gjithë ata presidentë, kurse ne jemi ende me të njëjtën klasë politike. Thonë shpesh se nuk bëhet ky vend, nuk bëhet me këta njerëz. Po mirë, kur ikin shqiptarët, pse bëhen andej? Pse punojnë? Ky vend bëhet, nëse vendos shpirtin dhe jo makinën llogaritëse”.


Dorina Prethi – “Një shprehje e bukur thotë: ‘Nëse do të dëgjosh cicërimën e zogjve, mos bli një kafaz, por mbill një pemë’. E njëjta gjë vlen edhe për ne. Duhet të mbjellim shpresën. Ekziston një raport ndërmjet qeveritarëve dhe qytetarëve. Në Shqipëri ky raport është shumë i akullt. Neve na kërkojnë vetëm votën dhe taksën. A ndiheni ju të dëgjuar? A jeni të vlerësuar nga politikanët? Ekziston një mënyrë, pra, që ju të dëgjoheni të gjithë. Njëra nga pikat tona është referendumi, i cili ndihmon për të patur demokraci direkte. Ja, për shembull, a jeni pyetur ju për HEC-et në Valbonë? Dikush më tha ‘Nuk vij, se nuk merrem me politikë. Ta bëjë politika vendin’. Vendin e bëjnë njerëzit, jo politika. Po të vendosni ju që ta bëni Shqipërinë, jam e sigurt që Shqipëria bëhet”.


‍Edona Haklaj – “Kam ndjerë këto ditë gjithë nevojën që banorët e Tropojës kanë për t’u dëgjuar. Kam ndjerë nevojën e tyre që dikush t'i takojë jo vetëm kur ka zgjedhje. Ajo që duhet të vërtetojmë të gjithë bashkë është se ka ardhur koha për të folur. Kur kam nisur studimet e larta, më është thënë të mos shoh shumë lart, se njerëzit në Tiranë kanë edhe mikun, edhe paranë. Kjo është e padrejtë. Që këtu fillon mungesa e meritokracisë dhe garës. Një nga arsyet që na ka bërë së bashku si ekip është meritokracia dhe gara. Me ndryshimet e fundit, tropojanëve u duhet që të shkojnë në Kukës, Shkodër apo Gjakovë për të marrë shërbime. Këto janë kosto të larta financiare. Rinia ikën, ndërkohë që këtu bizneset vuajnë për punëtorë”.