October 30, 2023

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ndalet në qytetin e Beratit

Image BD

Berati e ka traditë mikpritjen dhe Lëvizja “Shqipëria Bëhet” u prit me zemër të hapur në zemër të qytetit. Anëtarët tanë dhanë mesazhet e tyre dhe shpalosën platformën e 4 ndryshimeve themelore për të cilat ka nevojë Shqipëria, ndërkohë që qytetarët shprehën hapur problematikat e jetës së tyre të përditshme.

“Për të parë sa rezultat kanë patur politika këto tri dekada, mjafton të shohësh se ai që është i drejtë shahet si i shtrembër dhe ai që ëshë i shtrembër shitet si i drejtë. Ai që vjedh quhet trim, kurse ai që nuk vjedh quhet budalla. Ai që është emigrant është i huaj në vendin e huaj, por është i huaj edhe kur vjen këtu”, - u shpreh Florjan Binaj në fjalën e tij. Ai vuri theksin te meritokracia, e cila ka sjellë largimin e të rinjve. “Mungesa e meritokracisë ka bërë që rinia të zgjedhë largimin. Të gjithë duan të ikin dhe të mos kthehen më. Ne ua kemi borxh paraardhësve tanë, të cilët e kanë bërë këtë qytet kaq të bukur. Ua kemi borxh edhe atyre që kanë derdhur gjak për ta mbrojtur këtë qytet”.

Edlira Çepani zgjodhi një mënyrë domethënëse për të shpjeguar Shqipërinë e sotme. Duke folur para qytetarëve të Beratit, bashkëthemeluesja e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” përmendi mungesën e garës si një dobësi të kahershme në vendin tonë. “Me kaq shumë mrekulli sa ne kemi, me kaq shumë trashëgimi sa ne kemi, si nuk u bëka Shqipëria? Fatkeqësisht, meritokracia ende nuk është bërë normë në Shqipëri. Këtu duhet të jesh biri i dikujt apo motra e dikujt. Duhet të japësh ndonjë gjë nën dorë, që të ecësh përpara. Kjo është fatkeqësi. Po pyes fëmijët tani. Kemi një elefant, një peshk dhe një zog. Sipas jush, kush ngjitet i pari në pemë? Kush do ta fitojë garën?

Elefanti? Eh, patjetër. Kështu përgjigjen fëmijët, sepse jemi mësuar që elefantët të na e fitojnë garën, ngaqë nuk kemi një sistem i cili garanton garën e vërtetë. Në fakt, ata që kanë flatra dhe duan t’u japin flatra shqiptarëve për të shpresuar për një vend më të mirë, duhet ta fitojnë garën. Të drejtat tona duhet t’i fitojmë vetë dhe do t’i fitojmë vetë, sepse nuk ka forcë më të madhe se populli kur bashkohet”.


‍Adriatik Lapaj e nisi fjalën e tij duke përmendur SPAK-un dhe tronditjet e fundit nga sistemi i drejtësisë. Sipas tij, ka njerëz të cilët i ka zënë frika. “E keni vënë re, që në ekranet e televizioneve këto ditë janë shqetësuar se SPAK po fillon më në fund të lëvizë dhe të kërkojë llogari? E keni vënë re se janë shqetësuar të gjithë, a thua se jetojnë në Norvegji dhe këtu politika nuk ka bërë mëkat? Duhet mbështetje pa kufi për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion”.


Më tej, Lapaj bëri thirrje për bashkim të madh, sepse shembujt e keqadministrimit të vendit janë të dukshme kudo. “Kuçova ka naftë. Më thoni çfarë përfitoni ju nga nafta e Kuçovës? Fitoni ndotje, fitoni pasurinë e atyre që pasurohen e bëjnë pushime jashtë shtetit. Fëmijët tuaj, ndërkohë, ngelin në emigrim, ikin me gomone. Ata nuk zgjohen në shtëpitë tuaja dhe kjo duhet të ndryshojë! Pasuritë e këtij vendi nuk duhet të shkojnë për një pakicë njerëzish. Këtu ka fermerë, por çfarë fitojnë fermerët sot? Ku shkojnë paratë e rimbursimeve? Shkojnë drejt pesë duarve. Shkojnë tek ata të cilët grumbullojnë vota nëpërmjet dhunës dhe blerjes, ata të cilët janë shkaku pse fëmijët tuaj ikin në emigrim. Kjo duhet të ndryshojë. Jemi sot këtu për të kërkuar një bashkim të madh kombëtar, për të kërkuar hapjen e garës, që të na udhëheqin më të mirët. Ky sistem meriton të shembet dhe të marrë fund”.