November 18, 2024
Fioralba Dervishi
Sot dua t’ju flas si nje ish emigrante ne Itali,ish studente ne ‘liceo scientifico’ ne Bergamo,me bursa studimi nga komuna dhe e integruar me se miri ne komunitetin italian.
Pavarësisht eksperiencës që unë krijova, mendja ime ishte në Shqipëri, dhe pas 7 vitesh ne Itali, une serish doja të kthehesha.
Deshira per tu rikthyer nje dite ne atdhe ishte me e forte se sukseset qe arrija ne Itali.
Tanime pasi kam krijuar familjen time dhe kam investuar ne profesionin tim ne Shqiperi , kam kuptuar qe kjo nuk eshte Shqiperia te cilen kisha ne mendje kur u ktheva, e as ajo qe dua per femijet e mi.
Si mund te jete Shqiperia qe dua kur ky shtet nuk i jep as sherbimin shendetesor e te jetes qytetareve te vet?
Nje nga arsyet perse ikin apo nuk kthehen shqiptaret ne atdhe eshte gjendja e mjerueshme e sistemit tone shendetesor.
Jam ne kete ekip sepse kemi nje plan te qarte per shendetesine.
Mjeket specialist nuk do te jene me te punesuar me rroga fikse. Do te kene nje rroge dysheme dhe mbi ate do te kene kontrate ortakerie me shtetin. Per cdo operacion, sherbim shendetesor te sukseshem do te marrin pagese ekstra. Rroga do te rritet sipas performances duke synuar kapjen e atyre te vendeve te BE. Mjeku nuk do te kete me nevoje te fus doren ne xhepin e qytetarit pasi do i jepet mundesia qe te paguhet sipas rendimetit te tij.
Buxhetet per ilacet nuk do te jene fikse. Buxheti do te jete fleksibel ne raport me nevojat per ilace qe kane spitalet.
Do te investojme ne shendetesi duke ndertuat ne 4 rajone te vendit (veri, jug, juglindje dhe qender) 4 spitale te medha rajonale qe do te ofrojne sherbim shendetesor te plot.
Mesazhi qe dua te jap sot eshte qe duhet te behemi bashke te gjithe shqiptaret anembane botes, e ne diten e votimve te percajme sistemin qe mban peng popullin shqiptar.
Kjo eshte koha jone!
Elton Laska
Në mediet shqiptare çdo ditë shohim grupe kriminale që goditen në Itali, kryesisht në vjedhje banesash dhe trafik ndërkombëtar droge, por në fakt ajo që nuk del në media është historia juaj e jashtëzakonshme që erdhët këtu si populli më i varfër i Evropës dhe brenda 2 dekadash u bëtë komuniteti me numrin më të madh të sipërmarrjes dhe fëmijëve të shkolluar.
Ju jeni histori frymëzimi dhe shembulli më i mirë i shqiptarit që bëhet, kur mundësitë janë të barabarta.
Unë vij nga qarku i Lezhës dhe në qarkun tonë çdo familje ka një djalë ose një vajzë në Itali dhe djersa e mërgimtarëve të Italisë ka bekuar themelet e shtëpive dhe sipërmarrjeve në Shqipëri. Ne kemi ardhur këtu në Itali për t'ju kërkuar besën që ta bëjmë Shqipërinë, ashtu siç e ëndërruan Fishta me Gurakuqin e të tjerë patriotë që shkrinë gjithçka për Shqipërinë.
Në Itali është diaspora më e madhe e shqiptarëve bashkë me Greqinë dhe vota juaj do të jetë një grusht i fortë kundër politikës së vjetër, që vijon të gjenerojë eksod, krim dhe varfëri ekstreme.
Ne nuk po kërkojmë që ju të ktheheni të gjithë në Shqipëri, por ne premtojmë se do ta bëjmë Shqipërinë një vend ku fëmijët tuaj të mund të kthehen dhe ta ndërtojnë jetën atje.
Gjatë takimeve që kemi bërë në diasporë e kemi kuptuar sa shumë kemi humbur në tre dekada, pasi rrugët bosh nga të rinjtë nuk i zëvendësojnë as rrokaqiejt, as makinat luksoze, as turistët e huaj.
Unë dua t'ju ftoj të angazhoheni maksimalisht pasi ju jeni një kategori që e përçmoni blerjen e votës, e përçmoni patronazhimin dhe nënshtrimin. Vetëm vota e njerëzve si ju do t'i këpusë Shqipërisë zinxhirët e skllavërisë.
Erion Muska
Mua më quajnë Erion Muska, kam studiuar inxhinieri informatike, prej vitesh punoj në sektorin e IT dhe Informatikës. Unë jam sekretari organizativ i Lëvizjes politike "Shqipëria Bëhet" e cila do të garojë në zgjedhjet e vitit 2025 për të bërë ndryshimin e vendit.
Ju i dini mirë problemet e Shqipërisë, ndaj dhe jeni larguar. Nuk është zgjidhje t'ju flasim për problemet. Jemi sot këtu për t'ju folur për zgjidhjet.
Ne angazhohemi që nëse ju na bekoni me mbështetjen tuaj masivisht, të realizojmë reforma të thella që garantojnë për ju emigrantët:
15 muaj më parë ne nisëm betejën për mundësimin e të drejtës së votës së emigrantëve nga vendet ku jetojnë. Shumëkush na tha se nuk do t'ia dilnim. Nuk u ndalëm. Mblodhëm 21,000 firma qytetarësh. Shkruam një projektligj dhe ia dolëm ta impononim. Sot ju do votoni. Ligji u miratua. Ne ia dolëm!
Unë sot jam i mandatuar nga lëvizja që t'ju shpjegoj se si do të mund të votoni nga diaspora:
Mos dëgjoni lart e poshtë që vota do t'ju manipulohet. Zero mundësi ka t'ju preket. Votoni masivisht! Na votoni masivisht!
Agustela Thoma
Unë jam Agustela Thoma. Jam ekonomiste me mbi 10 vite angazhim në sistemin bankar. Faleminderit për mikpritjen!
Për më shumë se tre dekada, ne kemi pritur dhe shpresuar për një shtet demokratik dhe meritokratik, por kjo nuk ka ndodhur. Sa herë keni thënë e dëgjuar "si nuk doli një i ri, si nuk doli dikush ta bëjë Shqipërinë". Tani e keni njeriun dhe ekipin për ta bërë ndryshimin. Një ekip që ka emrin "Shqipëria Bëhet"!
Ju, emigrantët tanë, jeni dëshmi e gjallë e vuajtjeve të këtyre 3 dekadave. Sa dhimbje! Sa sakrifica! Sa netë pa ngrënë! Sa mall për familjet! Të ndarë për së gjalli!
Vetëm në Itali, sipas të dhënave të INSTAT-it për vitin 2020, janë rreth 653,000 shqiptarë me pasaportë ose me dokumente qëndrimi – por kjo nuk përfshin largimet e katër viteve të fundit të mijërave të rinjve, që sigurisht e rëndojnë edhe më tej këtë bilanc. Ky është një realitet trishtues, por gjithashtu një tregues i nevojës për ndryshim.
Ju, që jetoni jashtë, keni një mundësi të artë sot që nuk duhet ta humbni. Për herë të parë, ju keni mundësinë të votoni dhe të ndikoni në të ardhmen e vendit tuaj. Zgjedhja juaj mund të bëjë ndryshimin.
Programi që ne do të prezantojmë në këto zgjedhje është një plan i plotë dhe shpresëdhënës për ndërtimin e një shteti me baza demokratike dhe një ekonomi të qëndrueshme. Një mundësi e plotë për rikthimin tuaj apo investimin tuaj në atdhe.
Punonjësit e tatimeve do ta kenë të ndaluar me ligj të shkojnë për verifikim pranë biznesit të vogël.
Të gjitha këto do të krijojnë për emigrantët kushte të jashtëzakonshme investimi në Shqipëri.
Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe për brezat që do të vijnë.
Ervis Cela
Të dashur miq, dashamirës dhe bashkatdhetarë, faleminderit për mikpritjen tuaj të zjarrtë dhe mirë se ju gjeta. Miq të nderuar, një filozof, dikur në një sallë, bëri një pyetje: “Cili është nënpunësi më i lartë i një shteti?” Nga salla u dëgjuan disa përgjigje. Dikush tha kryeministri, dikush tha presidenti. “Jo,” tha filozofi, “nënpunësi më i lartë i shtetit është nëna dhe mësuesi. Është arsimi dhe rinia.”
Çfarë ndodh sot me rininë shqiptare? Rinia ka emigruar, dhe ju jeni dëshmitarë të këtij fakti. Po pse ka ndodhur kjo gjë?
Kjo ka ndodhur sepse, fatkeqësisht, në vendin tonë mungon meritokracia, mungon vizioni i të ardhmes, mungon gara. E gjithë rinia është detyruar të largohet. Dua të ndalem pak këtu bashkërisht për të diskutuar për pjesën e arsimit. Çfarë ndodh sot në realitetin shqiptar? I gjithë buxheti i shtetit, i cili i atribuohet pjesës së arsimit, shkon për fasada. Ndërkohë, fëmijët tanë ende mësojnë në godina pa ngrohje. Shpopullimi dhe emigrimi i madh kanë sjellë, për shkak të largimit të njerëzve, që shumë shkolla janë mbyllur. Atëherë, ata fëmijë të cilët ndodhen në qytete apo fshatra ku shkollat po mbyllen detyrohen të shkojnë në shkollat e fshatit apo qytetit më të afërt. Kjo çon në shkolla që bëjnë mësimin me turne. Kjo çon që mësimi të bëhet në klasa kolektive, ku mësimdhënia nuk është cilësore.
Atëherë çfarë duhet të ndodhë? Buxheti i shtetit duhet medoemos që të mos shkojë për fasada, por të shkojë aty ku është zanafilla e problemit: pjesa e investimit në infrastrukturë dhe tek ata që janë njerëzit përgjegjës për të dhënë arsimin e duhur, që janë mësuesit. Çfarë i mungon mësuesve sot? I mungon dinjiteti. Janë klasa më e papaguar e shoqërisë. Ndërkohë, ata janë njerëzit që edukojnë brezat e rinj, edukojnë të ardhmen tonë, edukojnë fëmijët tanë. Atëherë, në programin tonë është parashikuar që buxheti i shtetit, vetëm duke eliminuar evazionin fiskal, do të mundësojë dyfishimin e pagave të mësuesve.
Ky dyfishim i pagës nuk është thjesht një atribut dhe ndihmë për ata që kanë përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve tanë, por ky dyfishim i pagave do të kërkojë gjithashtu përgjegjësi nga ana e tyre. Kjo do të thotë që nuk do të ketë më emërime partiake për mësuesit. Nuk do të ketë më emërime pa meritokraci. Në këtë mënyrë, do të emërohen ata që e meritojnë dhe janë të aftë për ta kryer detyrën e tyre, pa rënë pre e korrupsionit. Me pagën që do të marrin nga shteti shqiptar, ata do ta bëjnë detyrën e tyre me dinjitet dhe do të edukojnë brezat e rinj ashtu siç duhet. Ne kemi parashikuar në program mënyrën sesi do të zhvillohet edhe pjesa e mësimit, si në arsimin 9-vjeçar ashtu edhe në atë universitar.
Çfarë padrejtësie ka sot me fëmijët tanë? Mësimi normal zhvillohet nga ora 8 deri në orën 13:00. Më pas, të gjithë fëmijët shkojnë në shtëpi dhe kanë detyrat për të bërë. Por jo çdo prind shqiptar, jo çdo familje shqiptare ka mundësinë ekonomike për t’i çuar fëmijët në kurse. Jo çdo familje shqiptare dhe jo çdo prind shqiptar ka arsimin e duhur për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat e tyre.
Atëherë, çfarë ndodh? Disa mbeten para dhe disa mbeten pas në mësimdhënien dhe në mësimnxënien e tyre. Ne kemi parashikuar që, pasi të mbarojë orari zyrtar i shkollës nga ora 8 deri në orën 13:00, të vijë pjesa e after school-it, që do të thotë nga ora 13:00 deri në orën 17:00, të gjithë nxënësve do t’u ofrohet një mësues kujdestar, i cili do t’u ndihmojë për të kryer detyrat dhe për të mësuar në mënyrë të barabartë. Kështu, të gjithë fëmijët do të kenë mundësi të barabarta për të studiuar dhe për të ecur përpara.
Çfarë ndodh me arsimin universitar, të nderuar miq? Të gjithë fëmijët tanë shkëlqejnë nëpër universitete, përpiqen dhe përpiqen të arrijnë rezultate sa më të larta. Por çfarë ndodh kur mbarojnë? Kur mbarojnë studimet, gjenden përballë një muri. Përballë tyre nuk ka asnjë mundësi punësimi. E vetmja mundësi për t’u punësuar është të jesh i kësaj partie apo i asaj partie. Kjo i demotivon dhe i detyron të largohen jashtë, ashtu siç janë larguar mijëra studentë shqiptarë. Ata shkojnë për të punuar dhe për të sakrifikuar, jo si një zgjedhje e tyre, por si një sakrificë sublime për të ndërtuar jetën e tyre dhe për të kujdesur për prindërit që i kanë atje, të cilët janë lënë në mëshirë të fatit nga kjo qeveri.
Ne do t’u mundësojmë të gjithë studentëve shqiptarë, atyre të mirë dhe atyre ekselentë, jo vetëm bursa, por edhe kontrata paraprake pune të lidhura me administratën publike dhe me bizneset. Kështu, kuotat në universitete nuk do të mbeten thjesht diploma pa vlerë, por studentët në vitin e fundit të studimeve do të kenë kontrata paraprake pune. Këto kontrata do të lidhen me praktika dhe stazhe të paguara. Në këtë mënyrë, pas përfundimit të studimeve, ata do të kenë vendin e tyre të punës të sigurt.
Do të ndalem shkurtimisht edhe te një problem tjetër, që lidhet me pasuritë e paluajtshme. Nuk mund të ketë një person jetë të begatë nëse nuk ka ekonomi dhe nëse nuk ka pronë. Çfarë ndodh me problemet e pronave në Shqipëri, që prekin pjesën më të madhe tuajën? Proceset e shumta dhe ligjet e ndryshuara, nga 7501-shi e deri te legalizimet, kanë bërë që shumë ish-pronarë sot të mos e gëzojnë më pronën e tyre. Nga njëra anë, qeveria thotë se nuk ka fonde të mjaftueshme për të kompensuar ish-pronarët. Nga ana tjetër, mijëra metra katrorë në bregdet i jepen oligarkëve për një euro metri.
Ne kemi identifikuar fondin e pronave shtetërore, të cilat do t’u shpërndahen ish-pronarëve, duke u dhënë fund kësaj çështjeje. Në këtë mënyrë, çdo investim i huaj apo i brendshëm do të lidhet me pronarët dhe jo të përfitojë toka me një euro metri.
Të dashur miq, ne mund të zgjedhim të nënshtrohemi ose të bëjmë gjëra të mëdha. Të dyja nuk bëhen dot. Ndaj, unë ju ftoj të luftojmë deri në fund për të realizuar Shqipërinë e ëndrrave tona, që të gjithë të kthehemi dhe të punojmë atje, në një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë. Faleminderit!
Adriatik Lapaj
E para, një duartrokitje për ju, dhe ju faleminderit nga zemra! Në fakt, është një kënaqësi e jashtëzakonshme kur arrin të ngjallësh te njerëzit shpresën dhe besimin se gjërat mund të ndryshojnë, mund të bëhen më mirë. Të shohësh se, qindra kilometra larg atdheut, në ditën e tyre të pushimit, pasi janë lodhur gjithë javën, marrin rrugën dhe vijnë për të na dëgjuar, është vërtet frymëzuese. Dhe kjo ndodh pa autobusë, pa kërcënime, pa premtime për vende pune apo para, vetëm me zemër.
Në fakt, 14-15 muaj më parë, ne nisëm këtë rrugë me shqiptarët në diasporë. Shumëkush më thoshte në Tiranë: "Po pse, more Adriatik, ujin në çezmat tona do ta sjellësh nga Londra? Pse, vëlla, ilaçet në spitalet tona do na i sjellësh duke takuar ata në New York? Pse, o pasha, rrugët do t’i shtrosh duke shkuar e takuar shqiptarët e Athinës që e kanë në terezi?" Por unë isha i bindur që kombi ynë ka vetëm një shans për të kthyer timonin dhe për të ecur në drejtimin e duhur: jeni ju, shqiptarët e diasporës, të cilët jeni të pakërcënueshëm! Ndaj, luftuam fort!
Në fakt, unë jam përballur gjithmonë me shprehjen: "Nuk bëhet!"
"O do konkurrosh ti? Do bëhesh avokat ti, djalë polici? Nuk bëhet!"
Konkurova dhe dola i treti në republikë.
"O, nuk do t'ia dalësh ti si avokat, të ndjekësh çështje! Kjo është punë trashëgimie. Nuk bëhet!"
Ja dola dhe u bëra! Pastaj udhëhoqa protesta dhe aksione civile në Shqipëri.
"O Adriatik, nuk të dalin njerëzit. Këtu njerëzit dalin o me tollona, o me para, o me administratë, o me kërcënime. Nuk i nxjerr dot!"
Unë i nxorra masivisht. Pa autobusë, pa tollona, pa kërcënime, pa administratë – masivisht!
"Kush do të presë në diasporë?", më thanë.
U thashë: "Shqiptarët më presin."
Koha tregoi që na prisnin masivisht në çdo qytet.
E kush i thotë këto teoritë e "nuk bëhet"? I thonë ata ustallarët, që pasi vjedhin mirë, trashen mirë, kanë nga dy-tri makina nga 100 mijë euro në garazh, u kanë blerë fëmijëve shtëpi në Bruksel, New York, Toronto, dhe kanë 4-5 milionë euro të fshehura nëpër thesë që mbajnë erë myk.
Na dalin ish-drejtorët, ish-ministrat dhe këto segmente rreth pushtetit. Dalin çdo natë nëpër emisione duke pupurisur e duke bërë lavazh truri qytetarëve, duke thënë: "Nuk bëhet!"
Po pse, u bëka Shqipëria për fëmijët e tyre?
Si ka mundësi që Shqipëria mund të bëhet për vila, për shkolla të mira, për makina të shtrenjta, për jetë të mirë për fëmijët e tyre dhe nuk bëhet për qytetarët?
Më thoni ju: si mundet?
Për t'u bërë, kërkon që të jetë si ajo familja e mirë, ku nëna dhe babai nuk e vjedhin shtëpinë e tyre. Paramendoni për një çast sikur nëna ose babai të bëjnë hile ndaj familjes së tyre, ta vjedhin shtëpinë e vet. A bën përparim ajo shtëpi? Kurrë!
Kështu është edhe shteti. Një shtet që vidhet nga liderët dhe drejtuesit e vet është i destinuar të dështojë.
E kundërta ndodh me ato familje ku nëna dhe babai punojnë me përkushtim, nuk e vjedhin sakrificën e njëri-tjetrit dhe begatojnë jetën e familjes së tyre.
Shumë thonë: "Po nga do ta nisësh më parë?" Nga fillimi. Nga aty ku e kanë nisur të tjerët që kanë arritur sukses: nga shkollat, nga arsimi, nga ekonomia, nga mundësia që, kur shkon në një sportel shteti, nënpunësi të mos të të shohë sikur i ke ngrënë bukën e gojës, por të të buzëqeshë dhe të të trajtojë si një qytetar që meriton shërbim.
Më thoni ju: sa herë keni shkuar në administratë dhe ju kanë parë me inat, sikur i keni dërguar me detyrim? U kërkojnë para, të nënkuptuara ose haptazi. Kjo duhet të ndryshojë!
Ne do ta nisim duke financuar më shumë shkollat dhe mësuesit tanë.
Sot, buxheti për arsimin në republikën tonë është vetëm 2,8% e Prodhimit Kombëtar Bruto (PKB), absolutisht më i ulëti në Evropë. Mesatarja e financimit për arsimin në BE është 5% e PKB-së.
Ajo që do të bëjmë, nëse një ditë na bekoni me pushtetin tuaj, është që brenda 24 muajve ta çojmë këtë shifër në 5% të PKB-së. Më mirë që paratë e këtij kombi të shkojnë për fëmijët dhe nipërit tanë sesa për ura, fasada dhe rrugë që përfundojnë tek vilat e politikës në Dhërmi.
Brenda 48 muajve të parë, buxheti për arsimin do të shkojë në 7% të PKB-së, duke e kthyer Shqipërinë në lider në rajon për financimin e arsimit dhe duke rikuperuar kohën e humbur.
Do të çojmë arsimin në nivele të vendeve që kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm, si Izraeli, Koreja e Jugut, Singapori dhe Suedia. Kjo do të thotë të kthejmë kapacitetet ekonomike në funksion të zhvillimit intelektual të kombit tonë.
Së dyti, do të fokusohemi tek iniciativa e lirë. Biznesi i vogël nuk është subjekti që mund të tatohet dhe të zhvatet. Jo! Do ta përjashtojmë biznesin e vogël nga bandat e tatimeve. Me ligj të posaçëm do të ndalohet që tatimorët në Republikën e Shqipërisë të paraqiten për inspektime në biznesin e vogël; do ta kenë të ndaluar gjobaxhinjtë që të shkojnë e të kërcënojnë punëtorët e zakonshëm të republikës sonë. Çdo qytetar që mund të kthehet, që ndërmerr iniciativën për të krijuar biznes, për të krijuar ekonomi për familjet e veta, do t’i krijojmë mundësinë që për xhirot vjetore të mos ketë ngarkesë fiskale. Që do të thotë të vini në atdhe, të hapni punishtet tuaja, të hapni bizneset tuaja e të vraponi për të jetuar jetën, duke mos ju detyruar të përballeni me detyrime fiskale. Kjo është mënyra që ne të mund të vrapojmë. Dikush do thotë; Adriatik, si do të mund t’i gjejmë paratë për këtë nga Buxheti i Shtetit? Fakti që ne kemi në vizionin tonë për të qenë për herë të parë në histori qeveria të jetë pro biznesit, do të synojë që të pasurojë shtresën e mesme, sepse nëse ju hapni një biznes dhe prisni fatura sepse shteti nuk ju kërcënon me barrë fiskale, fitimi juaj vjetor do të variojë nga 65 deri në 75 mijë euro sipas matematikës sonë. Me 75 mijë euro një familje jeton shumë mirë. Këto para nuk janë për gradaçela, do të konsumohen prapë brenda Shqipërisë; do të blini një makinë më të mirë, do të blini një shtëpi më të mirë, nëse keni një shtëpi do të blini një vilë në bregdet, do t’i shkolloni fëmijët më mirë, do hani më mirë, do visheni më mirë. Në fund të ditës, shteti, pra ne, do t’i tatojmë tek biznesi i madh, pra do lëmë qytetarin e thjeshtë të bëjë jetë cilësore dhe do t’i mbledhim paratë në fund. Dikush tjetër do thotë: Adriatik, si do i hiqni tatimorët nga rruga për biznesin e vogël? Këta do fillojnë e do manipulojnë. Jo! Po përse? Ne do të fillojmë e do të heqim 10 mijë tatimorë që unë i quaj banda, sepse të tillë janë. Por do bëjmë tatimorë 3 milionë shqiptarë, por si? Secili nga ju apo nga ata në Shqipëri që do të shkojë e do të konsumojë ekonomi gjatë 12 muajve, do t’i krijojmë mundësinë që të mbledhin faturat tatimore. Shkove dhe bleve një lavatriçe, kushtoi një mijë euro, TVSH që merr shteti është 20% e vlerës pra 200 euro. Ka dhe një tatim që sot është 15%, ne do ta ulim taksën e sheshtë 10%. I mori shteti 300 euro. Në fund shteti do thotë; hajde këtu ti qytetar, më jep faturën, urdhëro 100 euro pas. 200 i mban shteti në fund, 100 i kthehen qytetarit. Qytetari do ketë mundësinë nga data 1 deri në 25 dhjetor apo janar që faturat e mbledhura gjithë vitin dhe të marrë pas nga 1 deri në 10% të tatimit sipas produktit, nëse është produkt bazë merr 1%, nëse është produkt i domosdoshëm do marrësh 10%. Kjo është ta kthejmë republikën një vend të mirë dhe jo një vend ku 10 mijë banditë shkojnë dhe e fusin dorën në xhepin e iniciativës së mirë, në xhepin e atyre që sakrifikojnë e derdhin djersë, në xhepin e asaj byrektores që e hap vendin e punës për të jetuar. Shkojnë edhe vënë gjoba, do t’i zerojmë, do rrisim shtresën e mesme dhe do tatojmë aty ku duhet tatuar. Ky është vizioni ynë.
Së treti, do të fokusohemi tek pronat. “Shtëpia ime, atdheu im”! Ndaj ne për pronën do të bëjmë sa më poshtë:
Ligji 7501, për 16 muaj nga krijimi i qeverisë, do të trajtohet në total dhe do të përfundojë si proces dhe të gjithë që kanë një Akt të marrjes në përdorim të tokës ose Akt Pronësie do të pajisen me certifikatë pronësie, ta gëzojnë, sepse kjo histori duhet mbyllur. Dikush më pyeti në sallë: Si do ta bësh ti, këta kanë 34 vjet e nuk e bëjnë dot? Këta nuk e bëjnë, jo sepse nuk munden, por se duan t’ju mbajnë peng. Kur vjen puna për të paguar tatimin për tokën, e dinë adresën tënde, emrin tënd? Tatimin ta marrin ata, e dinë. Ndërsa për të dhënë certifikatën, nuk munden ata, sepse duan të të mbajnë peng.
Në lidhje me legalizimet, do të ngrihet një task-forcë, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri i vendit. Do të mbarojë të gjithë procesin e pajisjes me certifikatë legalizimi brenda 6 muajve, sepse ligji sot e thotë brenda 3 muajsh, por do t’i japim kohë vetes edhe 3 muaj më shumë. Është plotësisht e mundur sepse sistemi i fotografimit i ka të deklaruara. Pse nuk e kanë bërë? Sepse duan që sa herë vjen fushata t’ju tundin legalizimet. Kjo do të marrë fund dhe nga dita që zgjidhet, ligj për legalizimet dhe ndërtimet pa leje nuk do të ketë. Nuk do të ketë më nevojë që shqiptari i zakonshëm të shkojë dhe të marrë leje për të ndërtuar. Sot shkon ta jep kryetari i bashkisë ose kryeministri, e ke shok kryeministrin, merr një kuadrat me koeficient 18, e ngre ndërtesën 18 kate. Nëse nuk e ke shok kryeministrin, për të marrë një leje që të ngresh një ndërtesë sa për veten tënde, të plas shpirti dhe detyrohesh e ndërton pa leje. Do ta zhbëjmë këtë. Por si? E gjithë republika do të ketë një plan urbanistik total, do të përcaktojë qartë zonat ku ndërtohet, si dhe sa do të ndërtohet. Që do të thotë nëse një fshat e ka koeficientin 0,5, e ka lartësinë 17 metra. Për të ndërtuar nuk do të duhet të marrësh një leje ndërtimi, do të shkosh tek një inxhinier i licencuar, do të bëjë projektin në përputhje me planin urbanistik kombëtar, do e ngarkosh në sistemin online E-Albania dhe mund të vazhdosh punën. Ke vetëm një detyrim, të respektosh kriteret e planit urbanistik kombëtar, që do të thotë nëse plani të lejon 17 metra e lartë, do të ndërtosh 17 metra e lartë, nëse koeficienti është 0,5, duhet të jetë 0,5. Jo të kesh kryeministrin e kryetarin e bashkisë, por edhe Zotin të kesh shok nuk e ndërron dot. Të takon, ta jep ligji, nëse nuk i respekton kriteret objekti prishet. Kjo historia që Shqipëria është bërë një vend ku dikush ka marrë e ka hedhur një grusht me kokrra fasulesh për ndërtimet pa leje gjithkund, duhet të marrë fund. Shqiptarët kanë ndërtuar pa leje sepse këta matrapazë i kanë detyruar pa leje.
Ne kemi në vizionin tonë zgjidhjet për problemet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Shkon e aplikon për diçka, por jo sistemi, jo AV-ja, jo ajo, jo kjo, u nxihet jeta qytetarëve vetëm për të dhënë lekë. Ju keni shkuar dhe keni bërë kontrata te noteri. Kur ti blen një shtëpi, pronar të bën kontrata apo certifikata? Nuk të bën certifikata, por kontrata e shit-blerjes. Nga momenti që ke bërë kontratën e shit-blerjes, quhesh pronar. Certifikata vlen për të tretët, pra është një dokument i shtetit shqiptar. Tek noteri do shkoni, do paguani certifikatën. Sa të bën? 60 mijë lekë. Sa të bën kontrata? 40 mijë lekë. Urdhëro dhe 40 mijë lekë. Kështu e merr pa u lodhur fare edhe kontratën, edhe certifikatën tek zyra e noterit.
Ky është një pallat sporti dhe oshtin zëri. Po mundohem ta mbaj zërin ulur pa kaluar në ato damarët e mi prej labi. Çfarë ka ndodhur dhe sa keq është Shqipëria ju i dini të gjitha, ndaj nuk u ndalëm shumë sot. I dini mirë ju, i dini sepse ndodh që sapo ju mbushin nipërit nga 18 vjeç, ju marrin në telefon dhe ju thonë: “O dajë, o teze, aman ndonjë kontratë pune, që të vij dhe unë.” Prindërit në telefon u kërkojnë ilaçe. Ju të gjitha këto i dini. Këto do t’i shembim.
Pse ka qenë rrëmpallë ky vend? Ka qenë rrëmpallë sepse dikur perandorët, edhe romakët, mqs jemi në Itali, kur shkonin në një vend, linin të parin e zonës. Ai kishte ushtarë, jepte dhe pronat dhe ishte Zoti mbi tokë. Me çfarë kushti? Me kushtin që sa herë i duhej perandorit ushtarë, t’ua çonte ushtarët në luftë pa bërë zë. Edhe puna e këtyre sot nuk ka të bëjë me shtet-ndërtimin. Jo! U ka interesuar të lënë nga një gangster në zonë, e nuk ka rëndësi shteti, por pushteti. Kjo ndryshohet me burra, gra, djem dhe vajza që nuk e kanë kthyer gishtin tek sahani i korrupsionit gjatë tranzicionit shqiptar.
Keni dëgjuar që ju thonë shpesh: “Nuk ka rëndësi vota!” Po pse e blejnë votën këta? Po s’ka rëndësi vota, pse i dhunojnë qytetarët këta për 2-3 vota më shumë? Po s’ka rëndësi, pse i kërcënojnë me vende pune, me licenca, me biznese? Vota ka jashtëzakonisht shumë rëndësi.
Prandaj unë sot ju kërkoj që të flisni në shtëpinë tuaj, në familjen tuaj, në miqësinë tuaj, në rrethin tuaj shoqëror, me ata që flisni në Shqipëri, t’i bindni që të mos e çojnë dëm votën, as për mik e as për shok. Kjo sepse kur sëmuresh nuk ka mik e shok atje. Të mos e çojnë dëm sepse kur bëhet dëmi nga prokuroria e gjykata, nuk ka mik e shok që e zgjidh. Të mos e çojnë për tifozllëk partiak dhe, në fund fare, çfarë ndodh? Valixhet e në emigrim.
Unë besoj fort se ne e kemi kapacitetin intelektual dhe energjinë shpirtërore për të mundësuar një çarje të sistemit dhe më pas për ta rrëzuar, duke krijuar mundësinë që të mos ikë më rinia dhe ju të ktheheni për të investuar në atdhe.
Në New York, një vit më parë, takova një zotëri që kishte 40 vite që kishte ikur nga Shqipëria. Ishte rreth 56 vjeç dhe quhej Belul. Ishte një nga investitorët më të mëdhenj shqiptarë në New York. Ishte një njeri që, kur e takova dhe e dëgjoja tek fliste, më iknin lotët. I thashë: “Mirë këta, po ti që ke 40 vjet?” Më tha: “Adriatik, tik e shumë të drejtë. Mua Amerika më dha shumë gjëra. Ndoshta pa Amerikën, po të kisha ndenjur në Shqipëri, do isha një hallexhi. Por ka një gjë që nuk e ndërroj dot edhe po të dua. Sa herë mbyll sytë dhe shkoj të fle, ëndrrat i shikoj në shqip.”
Ndaj diaspora jonë është shpresa ime. Ju jeni shpresa e fëmijëve që vuajnë për ilaçe. Më besoni, jeni shpresa e pensionistëve që vuajnë për pensione të ulëta. Jeni shpresa dhe ëndrra e një kombi për ndryshim sepse ju nuk shiteni për 50 euro, as për 100, sepse juve nuk jua heqin dot pensionin e invaliditetit dhe nuk ua heqin dot shpresën për licenca. Ndaj bashkohuni për të bërë një ndryshim të madh. Me shumë përulësi ju kërkoj një gjë nga zemra: ju lutem, mos na lini vetëm! Mos na lini vetëm! Faleminderit!
Kontribuo për qëllimin e përbashkët: https://www.shqiperiabehet.al/kontribuo
Shikoni galerine e fotove: