February 28, 2025
Lëvizja 'Shqipëria Bëhet', Nisma Thurje dhe 'Lidhja Për Të Drejtat E Punëtorëve Shqiptarë’ zyrtarizuan koalicionin për zgjedhjet e Majit 2025.
‘Nisma Shqipëria Bëhet’ do quhet koalicioni i përbashkët, nën drejtimin e Adriatik Lapaj.
Palët garantuan se në zgjedhje do të garojnë me lista të hapura , ndërsa Adriatik Lapaj tha se po negociojnë edhe me parti të tjera që t’i bashkohen koalicionit, ndërsa afati për regjistrimin mbaron më 3 mars. Lapaj shprehu mbështetjen për drejtësinë dukë thënë se lajtmotivi i gjithë koalicionit do jetë Shqipëria mbi Partinë.
“Po negociojmë ende dhe deri në mbyllje të aftit do ti shtohen dhe subjekte të tjera. Nisma Shqipëria bëhet dhe lajtmotivi i gjithë koalicionit do jetë Shqipëria mbi Partinë. Duam të sjellim konceptin e një atdheu që është mbi subjekte politike. Kjo është në aspektin formal se lidhet me përcaktim e ligjit, ne koalicionin do ta drejtojmë me këshill koordinues të përbashkët. Jemi në krah të drejtësisë dhe do ta mbështesim atë dhe ky është një koalicion që u ofron shqiptarëve një mundësi për të zgjedhur një alterantivë për ndryshimin e Shqipërisë. Ne nuk vëmë baste në tavolinë duke shënuar sa mandate marrim, as nuk blejmë vota siç bëjnë ata, as nuk detyrojmë administratën, ne marrëdhënien e kemi me qytetarët dhe uroj që masiviteti i tyre të jetë aq i madh sa të çahet sistemi dhe më pas të rrëzohet. S’do jemi patericë e asnjë pushteti të ardhshëm.
Endri Shabani tha për mediat se janë bërë bashkë për t’i dhënë fund tranzicionit dhe se Shqipërinë mund ta bëjnë vetëm të rinjtë.
“Drejtuesi i Koalicionit do jetë Lapaj. Kemi vendosur emrin e koalicionit që do jetë ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ dhe ajo që është më e rëndësishme se fakti se kush po bëhet bashkë edhe pse po bëhen bashkë. Po bëhen bashkë të rinj që ka synim për ti dhënë fund tranzicionit dhe për ti dhënë shpresë Shqipërisë. Për të fuqizuar shtresën e mesme që duan të shohin të ardhmen e tyre këtu, veçanërisht të rinjtë që për shkak të mënyrës si është qeverisur Shqipëria nuk e shohin të ardhmen në shtëpinë e tyre. Duam ta kthejmë këtë shpresë dhe t’i mbajmë këtu ata të rinj. Ne jemi bërë bashkë se besojmë se Shqipëria bëhet dhe do ta bëjë brezi i ri. Dua ta mbyll me një mesazh për Ramën: Rama në zgjedhjet i fitove me këtë poster, kurrë më pas vetëm para. Ky s’do ti hyjë më në punë s’u duhet më e ka mesazhin gati. Le ta provojë me këtë dhe të shohë se a do ta votojnë shqiptarët kur të shohin se kush është mbrapa dhe kush e çon vendi para”, tha Shabani.
Marrëveshja u nënshkrua nga Adriatik Lapaj (Shqipëria Bëhet), Endri Shabani (Nisma Thurje), Marjus Malaj (Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptarë)