August 1, 2024
Këtë të mërkurë, lëvizja “Shqipëria Bëhet” zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e lagjes së Astirit në Tiranë. Gjatë këtij takimi u cekën disa shtylla kryesore që lëvizja synon të përmbushë, përfshirë hapjen e listave zgjedhore, referendumet, si dhe një panoramë të programit që ky subjekt politik do të paraqesë për zgjedhjet e vitit 2025.
Fjalën e këtij bashkëbisedimi të konceptuar lagje më lagje, e hapi inxhinierja softuer, Anica Papadhima, e cila, në shenjë falënderimi, theksoi mundësimin e votës së diasporës, ku mes 21 mijë firmëtarëve, një pjesë e mirë e atyre që mbështetën këtë nismë ishin edhe banorët e Astirit.
“Rikthehemi në zonën e Astirit si një nga zonat me më shumë mbështetës në mbledhjen e 21 mijë firmave në kuadër të mundësimit të votës së diasporës, nismë e cila jo më larg se një javë më parë kaloi për miratim në Parlament. Tashmë vota e diasporës është një realitet i prekshëm, një moment historik që kushdo të kuptojë peshën dhe rëndësinë e ligjeve tona,” tha Papadhima.
Në vijim, fjalën e mori mësuesja Etleva Merko, e cila solli në vëmendje mungesën e investimeve në infrastrukturën shkollore për zonën e Astirit, aty ku, pavarësisht premtimeve të shumta, Bashkia e Tiranës nuk ka ndërtuar asnjë shkollë apo kopsht publik. Kjo, edhe pse qytetarët detyrohen të paguajnë një shifër prej rreth 18 mijë lekësh të vjetra në vit për infrastrukturën arsimore.
“Jeni taksapagues të një shifre prej 18 mijë lekësh të vjetra në vit për infrastrukturë shkollore, ndërkohë që Erion Veliaj ka premtuar që në 2015-ën dhe jemi sot në 2024-ën pa shkolla. Ndërkohë, në Astir nuk kemi asnjë shkollë dhe asnjë kopsht publik. Kjo është turp për Erion Veliajn dhe qeverinë Rama,” sqaroi Merko.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Elton Laska, shpjegoi se futja e parave të pista në ekonominë e vendit sjell një sërë pasojash negative, përfshirë edhe rritjen e çmimeve të banesave, çka ndikon drejtpërdrejt në ikjen masive të të rinjve nga vendi.
“Shikoj çdo ditë se si të rinjtë përpiqen të jetojnë me dinjitet, por në Astir, ashtu si në pjesën më të madhe të Shqipërisë, e kanë të pamundur të blejnë një shtëpi dhe të jetojnë me dinjitet. Duket qartësisht që paratë e pista kanë detyruar që të rritet kostoja e banesës. Ata që kanë paratë me thasë nuk e kanë problem të marrin shtëpi, që duhej të ishin me kosto më të ulët. Familjet ndërkohë detyrohen të dalin nga Shqipëria, duke mos pasur mundësi dhe shanse për të jetuar normalisht me të ardhura mesatare,” sqaroi Laska.
Më tej, avokatja Dorina Prethi u shpreh se me ndryshimin e fundit në Kodin Zgjedhor për mbylljen me një të tretën e listave zgjedhore, sërish u dëshmua bashkëpunimi mes dy palëve, mazhorancës dhe opozitës, për të ndërhyrë te vota e lirë dhe gara reale në proceset zgjedhore.
“I kemi votuar vazhdimisht e vazhdimisht. E bëj këtë kujtesë për të treguar që prisni, kemi shumë gabime sepse edhe ne e kemi hedhur votën gabim. Ata janë mbledhur tre herë në marrëveshje të ndryshme: në 2008-ën kur ndryshuan Kushtetutën, në 2012-ën kur ndërhynë në Kodin Zgjedhor dhe sot, që bënë një marrëveshje kundër votës së ndershme. Vetëm sa ndanë zona, bastione, qarqe, duke lënë mënjanë kërkesat e shoqërisë civile dhe qytetarëve për votën e lirë,” u shpreh Prethi.
Profesori i asociuar dhe avokati Ervis Çela tha në fjalën e tij se elementi kyç për shtetndërtimin e Shqipërisë dhe begatimin e vendit është investimi në arsim dhe plotësimi i kushteve të duhura në mësimdhënie, çka sipas tij do të mund të përkthehet në prosperitet për kombin.
“Nuk kemi dalë për të thënë fjalë boshe, por dolëm para jush dhe u zotuam për nismën e votës së diasporës. Na mbështetët ju, e realizuam. Atë bëmë. Por çfarë kemi bërë ne për rininë shqiptare, për kombin? Të mos na vijë keq, por asgjë s’kemi bërë për sa kohë e kemi lënë në dorë të atyre që janë kriminelë. Kjo duhet të ndryshojë. Një sistem arsimor që plotëson të gjitha kushtet për t’i dhënë arsimin e duhur fëmijëve tanë është domosdoshmëri, është nevojë,” tha Çela.
Në fund, fjalën e mbajti kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili zbuloi një nga pikat e rëndësishme të programit, që i takon një projekti të quajtur “Shtëpia ime, Atdheu im.” Sipas Lapaj, ky projekt synon të mbështesë çiftet e reja, të cilët janë në pamundësi për të blerë një shtëpi.
“Shteti shqiptar do të dalë garant për interesat mbi 1%, që do të thotë ai çifti i ri do ta marrë kredinë me interes fiks 1%. Çdo interes mbi 1% do ta mbulojë shteti shqiptar. Po si do ta ndryshojmë këtë? Në programin tonë kemi një pikë që adreson strehimin e çifteve të reja që i përkasin shtresës së mesme dhe të varfër,” sqaroi Lapaj.
Në përfundim të këtij takimi, lëvizja “Shqipëria Bëhet” riafirmoi angazhimin e saj për të dëgjuar dhe përfaqësuar nevojat e qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë. Mesazhi i qartë që u përcoll ishte se vetëm përmes dialogut, transparencës dhe angazhimit të përbashkët mund të ndërtohet një Shqipëri më e mirë, ku të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për një jetë me dinjitet.
Kontribuo për qëllimin e përbashkët: https://www.shqiperiabehet.al/kontribuo
Shikoni galerine e fotove: