December 1, 2024
Më 1 dhjetor, Lëvizja “Shqipëria Bëhet” organizoi një takim me komunitetin shqiptar në Perugia. Adriatik Lapaj dhe ekipi prezantuan pikat kryesore të programit për vitin 2025, përfshirë reformën fiskale, përmirësimin e shëndetësisë dhe arsimit.
Fjalën hyrëse e nisi Edona Haklaj, duke shprehur falenderimin në emër të ekipit për mbështetjen që emigrantët i kanë dhënë rrugëtimit të Lëvizjes 'Shqipëria Bëhet'
'Më lejoni të ju shpreh mirënjohjen dhe falenderimin tonë, për mbështetjen dhe mikpritjen që na keni bërë përgjatë një viti, duke na motivuar e treguar se PO, Shqipëria Bëhet. Faleminderit edhe për të gjitha ata që mbështeten projektligjin tonë për Votën e Diasporës, duke mundësuar që ju sot të keni të drejtën e Votës.'
Haklaj u ndal dhe tek arsyet përse kishte vendosur të përfshihej në politikë me ekipin e 'Shqipëria Bëhet'.
'Nuk e kisha menduar të përfshihesha ndonjëherë në politikë, sepse ajo çfarë na ishte transmetuar si politikë prej 34 vitesh, ishte një fasadë e shëmtuar e politikanëve që vetëm na kishin vjedhur, na kishin marrë të ardhmen, na kishin lënë të jetojmë të pasigurt, dhe gjithçka që lidhej me politikën për ne ishte një gënjeshtër e madhe. Arsyeja përse vendosa të përfshihem në politikë, ishte për të hapur rrugën ndaj të rinjve të talentuar, të aftë e të ndershëm që duan të jetojnë dhe të kontribuojnë në vendin e tyre.'
Artur Makshedaj: Thirrje për Diasporën në Perugia
Anëtari i Kryesisë, Artur Makeshdedaj, shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe përkushtimin e shqiptarëve jashtë vendit ndaj atdheut. Ai theksoi se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, vota e diasporës është realitet, një arritje e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” pas betejës për 21 mijë firma dhe presion ndaj politikës së vjetër.
“Ju keni sakrifikuar për Shqipërinë, tani e keni zërin dhe fuqinë për të ndikuar,” tha Makeshdedaj, duke nënvizuar rëndësinë e këtij momenti për zgjedhjet e vitit 2025. Ai bëri thirrje për mbështetje ndaj një ekipi të ri dhe të pastër, duke e cilësuar ndershmërinë si diferencën e madhe me politikën e vjetër.
“Vota juaj është hapi i parë për ta ndërtuar Shqipërinë që e meritoni. Diaspora flet, dhe atdheu dëgjon.'
Luana Harizaj: Për një Shqipëri me Siguri Ushqimore
Luana Harizaj, ndau përvojën e saj si eksperte në Teknologjinë dhe Bioteknologjinë Ushqimore dhe vizionin për ta kthyer Shqipërinë në një vend me standarde të larta jetese.
Harizaj prezantoi masat kryesore të programit për sigurinë ushqimore:
• Ndërtimi i një sistemi të gjurmimit të ushqimit sipas standardeve të BE-së.
• Modernizimi i laboratorëve qendrorë dhe rajonalë të AKU-së dhe krijimi i laboratorëve në pikat doganore.
• Ashpërsimi i Kodit Penal për mashtrimet ushqimore dhe garantimi i cilësisë së farave, fidaneve, pesticideve dhe plehrave kimike.
• Ndalimi i prodhimit të bukës me miell me proteina nën 12%, për të siguruar cilësinë.
“Cilësia ushqimore është çështje e sigurisë kombëtare,” deklaroi Harizaj, duke ftuar të gjithë shqiptarët të mbështesin vizionin për një atdhe më të mirë dhe të sigurt për të gjithë.
Andrea Shtjefni: “Shqipëria Bëhet me Diasporën”
Andrea Shtjefni, ndau mesazhin e tij për rëndësinë e diasporës në rindërtimin e Shqipërisë. Ai vlerësoi emigrantët për sakrificat e tyre dhe për rolin që mund të kenë në zhvillimin e atdheut.
Andrea theksoi reformat ekonomike që do të mbështesin sipërmarrësit dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik:
• Çmontimi i monopoleve që kontrollojnë fondet publike.
• Zerimi i tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 200 mijë euro.
• Lehtësim për bizneset e reja, duke shtrirë pagesën e barrës fiskale të vitit të parë për pesë vitet e ardhshme.
• Taksa e sheshtë 10%, për një sistem të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
“Shqipëria nuk bëhet pa bijtë e saj, pa ju. Në vitin 2025, ju do të keni mundësinë të bëni ndryshimin,” tha Andrea, duke ftuar diasporën të investojë dhe të rikthehet për të ndërtuar një Shqipëri të fortë dhe të drejtë. “Shqipëria Bëhet… me Diasporën!” përfundoi ai.
Greta Ambeli: “Koha për një Republikë të Ligjit”
Greta Ambeli, anëtare e ekipit qendror të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, prezantoi reformat kyçe për të ndërtuar një shtet të së drejtës dhe për të demokratizuar Shqipërinë.
Ajo theksoi disa masa konkrete:
1. Ligji për referendumet, që do t’u japë qytetarëve të drejtën për të shfuqizuar vendimet e padrejta të qeverisë, parlamentit dhe bashkive.
2. Depolitizimi i administratës zgjedhore, duke ia kaluar menaxhimin profesionistëve të lirë si noterë, avokatë dhe gjyqtarë, me penalitete të ashpra për shkelje.
3. Reforma në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, duke transferuar kompetencat te noterët publikë për të eliminuar burokracinë dhe korrupsionin.
4. Ndarja e administratës dhe Policisë së Shtetit nga politika, për të garantuar shërbime të ndershme dhe të pavarura.
5. Dënimi i korrupsionit si tradhti kombëtare, me burgim minimal prej 25 vitesh dhe konfiskim të pasurive të paligjshme.
“Eshte koha të ndërtojmë Republikën e Ligjit, një Shqipëri ku ju të riktheheni ose të investoni në atdhe,” tha Ambeli, duke ftuar shqiptarët të mbështesin këtë vizion për një të ardhme më të drejtë.
Ndërsa kreu i Lëvizjes, Adriatik Lapaj theksoi lehtësitë për bizneset e vogla, rritjen e buxhetit për arsimin dhe modelin e ri për efikasitet në shëndetësi.
Lapaj shpjegoi se, për të stimuluar bizneset e vogla dhe rritur mirëqenien e qytetarëve, një investitor me xhiro vjetore deri në 200 mijë euro do të ngarkohet vetëm me detyrimin për të paguar sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, pa pasur barrë fiskale.
“Një investitor për një xhiro vjetore deri në 200 mijë euro do të ngarkohet me detyrimin vetëm për të paguar sigurimet e tij shëndetësore dhe shoqërore. Pra, pjesa fiskale do të jetë e tatueshme me zero lekë, kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ka një ndërlidhje shumë të pastër mes ekzistencës së një populli të varfër dhe një shteti autokrat që shtyp këtë popull. Ndërsa ekziston një popull i pasur dhe një shtet demokratik, ne duam të fokusohemi te shqiptari i zakonshëm.
Nuk mund të ketë shtet të fuqishëm me popull të varfër; qëllimi është që shqiptarin e zakonshëm ta kthejmë në një shqiptar me dinjitet dhe me të ardhura që sigurojnë shëndet, shkollim dhe mirëqenie në të gjitha aspektet. Ne parashikojmë që të bëjmë këtë lehtësi fiskale për ata që duan të hapin një biznes, për arsyen e thjeshtë që të mos iu vijë shtetit tek dera për t'u trokitur për ndihmë sociale, të mos bëhen barrë shoqërisë, por të vrapojnë dhe të hapin vende pune, të prodhojnë ekonomi. Do të thotë dikush: “Adriatik, ku do t’i gjeni paratë për të ndërtuar rrugët, shkollat, spitalet, rritur pensionet?” Ekonomia ka një instrument të padukshëm fantastik: në finale, paratë gjithmonë përfundojnë tek biznesi i madh. Ju thjesht i qarkulloni. Nëse hap një biznes të vogël me xhiro vjetore deri në 200 mijë euro, në fund të vitit do të ngelen nga 65 deri në 75 mijë euro fitim. Nga këto para do të rritet konsumi, do të blesh një shtëpi më të mirë, një makinë më të mirë, do të vishesh më mirë. Të gjitha këto do të çojnë në një konsum më të madh dhe kjo i çon paratë tek biznesi i madh. Për pasojë, ne do të lejojmë qytetarin e zakonshëm të rrisë mirëqenien dhe do ta marrim paranë në finale, tek biznesi i madh, aty ku mund ta kontrollojmë më mirë”, u shpreh Lapaj.
Takimi u përmbyll pas një hapësire bashkëbisedimi me qytetarët.
Kontribuo për qëllimin e përbashkët: https://www.shqiperiabehet.al/kontribuo
Shikoni galerine e fotove