December 2, 2024

'Shqipëria Bëhet' në Asti/Torino, mesazh nga Diaspora

Image BD

Mikpritje befasuese ishte rezervuar për ekipin e 'Shqipëria Bëhet' dhe në Asti/Torino.
Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, falënderoi pjesëmarrësit për mbështetjen dhe angazhimin e tyre, duke theksuar lidhjen e fortë të shqiptarëve në diasporë me atdheun. Ai vuri në dukje përpjekjet për të mundësuar votën e diasporës dhe sfidat e përballura për ta bërë këtë realitet, si mbledhja e 21 mijë firmave dhe dorëzimi i një projektligji në Kuvend.

Lapaj prezantoi disa nga angazhimet kryesore të Lëvizjes:
• Reforma në shërbimet publike, duke eliminuar burokracinë dhe korrupsionin në ASHK.
• Certifikatat e pronësisë për tokat bujqësore, për të garantuar siguri pronësore.
• Rritje pagash për policinë
• Investime në arsim, duke rritur buxhetin në 5% të PBB në dy vitet e para dhe në 7% pas katër vitesh.
• Rritje të pensioneve, duke garantuar një minimum prej 200 eurosh.

Ai e përmbylli fjalën duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet e ardhshme, duke e konsideruar këtë një hap historik për përfshirjen e tyre në ndryshimet e vendit.

Diaspora shqiptare, pjesë kyçe e së ardhmes politike të vendit

Luana Harizaj, anëtare e ekipit Qendror të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, vlerësoi emigrantët shqiptarë si heronjtë e heshtur të historisë moderne, duke theksuar rolin e tyre në mbështetjen ekonomike dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit jashtë kufijve.

Ajo njoftoi një hap historik: përfshirjen e diasporës në vendimmarrjen politike përmes një ligji të ri dhe premtoi që deri 50% e përfaqësuesve të ardhshëm të Lëvizjes të jenë nga diaspora.

Programi përfshin gjithashtu prioritizimin e investimeve të diasporës, lehtësira fiskale dhe një platformë digjitale për rrjetëzim global.

Bujqësia, prioritet kombëtar për një Shqipëri të zhvilluar

Voltian Hoxha, po ashtu anëtar i ekipit qendror të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, prezantoi vizionin për transformimin e sektorit të bujqësisë, duke theksuar rëndësinë e emigrantëve në investime dhe zhvillim.

Ai propozoi disa masa konkrete:
• Subvencionim për fermerët dhe prodhuesit vendas;
• Kontroll të rreptë mbi cilësinë e farave, pesticideve dhe plehrave kimike;
• Hapjen e Bankës Kombëtare Agrare me kapital shtetëror për financime të favorshme;
• Mbrojtjen e tregut vendas nga importet kontrabandë;
• Stimulimin e industrisë përpunuese dhe krijimin e Qendrës për Certifikimin e Tokave Bujqësore.

“Bujqësia është çështje sigurie kombëtare dhe Shqipëria ka potencial për të udhëhequr rajonin,” tha Hoxha, duke ftuar emigrantët të investojnë dhe kontribuojnë në këtë sektor.

Koha për të çliruar Shqipërinë nga pengesat dhe burokracia

Erjon Selmani, nga 'Shqiperia Behet' “Shqipëria Bëhet”, ndau përvojën e tij personale me sfidat e korrupsionit dhe burokracisë në sistemin arsimor dhe theksoi rëndësinë e një ndryshimi rrënjësor.

Programi i Lëvizjes përfshin:
• Çlirimin e ekonomisë dhe investimeve nga informaliteti dhe pengesat artificiale;
• Depolitizimin e administratës dhe forcimin e profesioneve kyçe si mjeku, polici dhe mësuesi;
• Mbështetje për çiftet e reja dhe ulje të barrës fiskale, çmimit të energjisë dhe karburantit.

Selmani theksoi: “Shqipëria bëhet me shqiptarë të ndershëm dhe të guximshëm. Është koha jonë të marrim në dorë fatet e vendit.”

Nevojitet një vizion i ri për arsimin dhe diasporën shqiptare

Etleva Merko, me 18 vite përvojë në sistemin arsimor, deklaroi se Shqipëria ka nevojë për një model të ri zhvillimi që lufton korrupsionin dhe inkurajon bashkëpunimin mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Ajo theksoi rëndësinë e projektit “Gjuha shqipe, rrënja jonë”, që përfshin:
• Hapjen e klasave të gjuhës shqipe në komunitetet me mbi 100 fëmijë.
• Pagesën e mësuesve në komunitetet që ofrojnë ambiente falas.
• Shpërndarjen falas të abetareve për çdo fëmijë të regjistruar.
• Financimin e projektit nga një fond i posaçëm shtetëror dhe kontributet e diasporës.

Reforma e pronave, prioritet për ndërtimin e një shteti demokratik

Avokatja Redinela Beqiraj, pjesë e ekipit të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet,” prezantoi planin për reformimin e pronave, duke theksuar rëndësinë e tyre si themel i një shteti demokratik.

Pikat kryesore të angazhimit përfshijnë:
1. Reformimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK): Kompetencat e saj do t’i kalohen noterëve publik, duke thjeshtuar procesin për qytetarët dhe emigrantët, të cilët do të marrin certifikatat e pronësisë direkt nga noterët.
2. Legalizime totale brenda 6 muajve.
3. Kthimi dhe kompensimi i pronave: Pronat do të kthehen ose kompensohen brenda 24 muajve sipas një formule të drejtë, përmes konvertimit ose pagesës në këste.
4. Certifikata për tokat bujqësore: Procesi i certifikimit për tokat bujqësore të ligjit 7501 do të përfundojë brenda 16 muajve.
5. Shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike derisa të përfundojë kompensimi i pronave të ish-pronarëve.

Beqiraj përfundoi duke theksuar se zgjidhja e çështjeve të pronës është jetike për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve.

Edona Haklaj: Për një Shqipëri dinjitoze

Edona Haklaj, pjesë e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet,” theksoi rëndësinë e ndërtimit të një Shqipërie ku prindërit dhe gjyshërit tanë të mos vuajnë nga mungesa e ilaçeve dhe pensionet e pamjaftueshme.

Ajo prezantoi disa nga masat kryesore të programit:
• Rritja e pensioneve: Asnjë pension apo ndihmë ekonomike nuk do të jetë më e vogël se 20,000 lekë në muaj.
• Rritje graduale e pensioneve ekzistuese me 2,500 lekë në vit për 4 vitet e para të qeverisjes, duke arritur në fund të katër viteve një shtesë prej 10,000 lekësh.

Edona bëri thirrje për bashkim, duke theksuar se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të krijohet një sistem që kujdeset dinjitetin e të gjithëve.

Kontribuo për qëllimin e përbashkët: https://www.shqiperiabehet.al/kontribuo

Shikoni galerine e fotove